Zv.ministri i Brendshëm: Dhuna nuk do të tolerohet

Shqipëria

Zv.ministri i Brendshëm: Dhuna nuk do të tolerohet

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 15:04
Ilustrim

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se nuk do të tolerohet asnjë akt i dhunshëm në protestën e opozitës.

Sipas tij, çdo sjellje e dhunshme do të ishte një atentat ndaj rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe kjo shtoi ai, do cenonte edhe interesat kombëtare të vendit.

Ai komentoi edhe të dhënat e fundit të publikuara pak ditë më parë mbi prodhimin e kanabisit në Shqipëri. Të dhënat e raportit shtoi ai, tregojnë se Shqipëria nuk është më vend i kultivimit të lëndëve narkotike.

“Qeveritë ndryshohen me votë të lirë. Çdo akt dhune do të ishte grusht ndaj të ardhmes europiane të vendit dhe në kundërshtim me interesat kombëtare. E gjithë policia është e angazhuar që protesta të jetë e paqësore dhe e ligjshme.

Bulevardi dëshmorët e Kombit është një hapësirë e mjaftueshme për protestën. Policia ka marrë edhe njëherë të gjitha masat e marra. Aktet e dhunës nuk mund të pranohen. Kemi parë ndërkombëtarët që kanë bërë mesazh të qartë me këtë manifestim, ku nuk pranohet dhuna.

Mjafton të shohësh retorikën e kohëve të fundit se ka një synim për ta shkallëzuar situatën dhe policia do të përballet sipas ligjit për të gjithë elementë të dyshimtë. Dhuna është e kundra ligjshme. Këto janë detaje operacionale që nuk mund të diskutohen. Ajo që është e rëndësishme është që duhet kuptuar qartë, se çdo akt dhune do të jetë atentat për integrimin e Shqipërisë”, shtoi ai.

Gjithashtu ai u ndal edhe në aksionin dhe kontrollin e sotëm të Policisë së Shtetit në shtëpitë e gjyqtarëve që zbutën vendimin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg për vrasësin e katër policëve në Durrës, Dritan Dajti.

“Ky është një urdhër i gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit ka zbatuar urdhrin e saj. Është bërë një deklarim nga policia dhe gjetjet janë bërë publike. Aksioni është mëse i ligjshëm. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve të prodhimit të kanabisit”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat