Masat për protestën e opozitës, 1500 policë në gatishmëri

Shqipëria

Masat për protestën e opozitës, 1500 policë në gatishmëri

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 20:21
Policia shqiptare

Teksa tonet e deklaratave politike po ndizen, në selinë blu po i jepet dora e fundit përgatitjeve për protestën e së shtunës që do të nisë në orën 11 të paradites. Çdo detaj po mbahet larg vëmendjes së medias, por e sigurt është që në vend të Lulzim Bashës ata të cilët do të mbajnë fjalime do të jenë qytetarët. Mësohet se do të jetë një protestë qëndrestare dhe ku protestuesit do të rrethojnë kryeministrinë.

Sakaq masa janë marrë për të mbrojtur fasadën e  kryeministrisë.

Për mbarëvajtjen e protestës së 16 Shkurtit mësohet se në terren do të aktivizohen rreth 1500 punonjës policie nga komisariatet e Tiranës, forcat shqiponja, FLO dhe FNSH.

Parapërgatitja për protestën ka nisur më herët. Rreth një javë më parë me një udhëzim të veçantë nga Drejtori i  Policisë së Tiranës u është lënë detyrë komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm. Ata do të monitorohen gjatë protestës me agjentë civilë që do të infiltrohen brenda protestuesve.

Masa ka marrë edhe Policia Rrugore. Autobusët që do të vijë me protestues nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana jugore tek Fakulteti Ekonomik.

Gjithashtu do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët ndërlidhëse të tij. Kufizim të pjesshëm do të ketë edhe rruga që lidh selinë e PD me Kryeministrinë. Për shkak të angazhimit të forcave të policisë në protestë është vendosur të shtyhet dhe ndeshja e Superligës mes Tiranës e Luftëtarit e cila do të zhvillohet ditën e diel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat