Mbyllet protesta e opozitës, Basha paralajmëron: Të enjten populli do të marrë në duar qeverisjen

Shqipëria

Mbyllet protesta e opozitës, Basha paralajmëron: Të enjten populli do të marrë në duar qeverisjen

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 09:13

(E plotësuar) - Protesta e opozitës në Shqipëri ka përfunduar me ftesën që të enjten të dalin në protestën që sipas organizatorëve, do t’i jap fund keqqeverisjes.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka falënderuar mijëra protestuesve për mbështetjen që iu është dhënë

“Le të zotohemi sot që kjo turmë do të bashkohen për t’i dhënë fund keq qeverisjes. Të enjten në protestën tjetër në ora 10 më të bashkuar se kurrë. Të enjten populli do të marrë në duart e tij qeverisjen”, ka thënë ai.

Ndërkohë, protestuesit kanë filluar të shpërndahen të qetë.

***

Rreth orës 15:00 protestuesit në Tiranë u përpoqën t’i vënë flakë dyerve të Kryeministrisë, ndërsa nga brenda ndërtesës u përpoqën ta shuajnë atë.

Protesta e nisur prej orës 11:00 vijon para Kryeministrisë. Herë pas here protestuesit kanë hipur në shkallët e Kryeministrisë, kanë dëmtuar derën dhe instalacionet.

Ndërkohë drejt tyre është hedhur gaz lotsjellës madje edhe nga tarraca. Ndërsa më herët u hodh dhe ujë drejt protestuesve për t’i zbrapsur.

Qytetarët duke u ardhur në ndihmë policëve të trullosur

Policia ka spostuar turmën me gaz lotsjellës, duke shkaktuar kështu probleme nga asfiksia tek disa prej qytetarëve që ndodheshin më pranë godinës së Kryeministrisë.

Ndërkohë, nga gazi lotsjellës janë lënduar dhe vetë efektivët e policisë.

Një qytetar është afruar duke dhënë ndihmën e parë efektivit të policisë, i cili ishte i trullosur nga gazi lotsjellës.

Ai bën masazh në qafë dhe i rri afër duke e ndihmuar.

15 të plagosur/ Qytetarë, policë dhe gazetarë

Deri tani ministria e Shëndetësisë raporton se 15 persona kanë mbetur të plagosur nga protesta, mes tyre pesë police, dy përfaqësues të medias.

Image

Aktualisht ata po marrin trajtimin e nevojshëm dhe mjekët konfirmojne se janë në gjendje të stabilizuar shëndetesore.

Ndërkohë autoambulancat dhe ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri.

Disa efektivë policie dhe protestues marrin ndihmë në spitalet e Tiranës

Dy efektivë policie kanë shkuar për të marrë ndihmën mjekësore pranë Spitalit të Traumës në kryeqytet, për shkak të plagosjes në protestën e opozitës së bashkuar.

Njëri nga efektivët, 45-vjeçar, ka marrë plagë në kokë, pasi është goditur me mjete të forta, ndërsa tjetri, 27-vjeçar, ka marrë dëmtime në shpinë.

Në Spitalin e Traumës në Laprakë, ka shkuar për ndihmë mjekësore edhe një protestues, i cili kishte dëmtuar dorën, por pasi mori trajtimin mjekësor, la ambientet spitalore.

Ndërkohë, edhe në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” kanë shkuar për trajtim mjekësor 4 protestuesë, të cilët kanë pësuar dëmtime në frymëmarrje nga gazi lotsjellës.

Ata po trajtohen në repartin e Toksikologjisë, ndërsa mjekët shprehen se janë në gjendje të qëndrueshme dhe shpejt do të lënë ambientet e spitalit.

Image

Kryemadhi: Nuk tërhiqemi, pa marrë atë që shqiptarët meritojnë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dha një intervistë për Top Channel, komentoi situatën në sheshin e protestës.

Kryemadhi konfirmoi se opozita nuk do të tërhiqet, por do të vijojë qëndresën e saj, ndërsa akuzoi se dhuna erdhi për shkak të provokimeve të policisë.

Sa do zgjasë protesta?
Unë jam këtu si qytetare dhe do të vijoj të qëndroj, pavarësisht helmimit dhe gazit lotsjellës që po lëshon Garda e Republikës. Policia le të shkojë e të ndalojë personat e dhunshëm, pasi nuk ka asnjë të drejtë të hedhë gaz lotsjellës mes nesh që po protestojmë paqësisht. Le të ndalë dhunuesit dhe të mos provokojë. Ne jemi këtu për t’u thënë qytetarëve që jemi me ta dhe jemi si ata, për të protestuar dhe qëndruar paqësisht. Unë e para dhe të gjithë ne që e bëmë Edi Ramën kryeministër në 2013-ën, e meritojmë të helmohemi akoma më shumë për këtë fatkeqësi të madhe që u bëmë shqiptarëve.

Ka pasur edhe një reagim nga selitë e ndërkombëtarëve në Tiranë, të cilët kanë dënuar dhunën dhe kanë kërkuar të tërhiqni protestuesit. Keni ndonjë reagim?
Unë nuk shikoj asnjë nga protestuesit që të bëjë akte dhune, por vetëm policia provokon çdo 10 minuta duke hedhur gaz lotsjellës. Nuk largohemi nga këtu, pa marrë atë që gjithë shqiptarët meritojnë.

Reagon ambasada franceze: Protesta vlerë demokratike, por shmangni dhunën!

Ambasada e Francës në Tiranë ka reaguar përmes një deklarate për media lidhur me protestën e sotme opozitare.

Në reagim ambasada u bën thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin provokimet dhe aktet vandale.

Reagimi i Ambasadës së Francës në Tiranë:

Ambasada e Francës në Tiranë i bën thirrje protestuesve për qetësi dhe të evitojnë provokimet dhe aktet vandale.

Sikundër e kemi shprehur bashkërisht me BE-në dhe vendet e tjera anëtare, e drejta e qytetarëve për të shprehur lirishit dhe në mënyrë paqësore pakënaqësinë e tyre, është një vlerë kyçe për një demokraci europiane moderne.

Dëmtimi i pasurisë publike dhe ushtrimi i dhunës janë të papranueshëm. I bëjmë thirrje protestuesve të ndalin menjëherë dhunën dhe të privilegjojnë dialogun

***

 Garda e Republikës ka qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë në drejtim të protestuesve.

Ata tentuan të çanë kordonin e policisë për herë të dytë dhe mësynë kryeministrinë.

Ndërkohe që është shkatërruar instalacioni në oborrin e kryeministrisë dhe po thyhen xhamat.

Image

Opozita: Protestuesit u provokuan, Rama të dorëhiqet

Protestuesit nuk shkuan në sheshin para kryeministrisë për të ushtruar dhunë, por u provokuan nga policia. Ky ka qenë qëndrimi i krerëve të opozitës pas përplasjeve para shkallëve të kryeministrisë.

Për kryetarin e PD kërkesa politike është krijimi i një qeverie teknike.

Basha: Qytetarët janë thirrur nga opozita me një qëllim të qartë politik. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, t’i japim fund qeverisë, që është kapur në vjedhje tek Unaza, tek Teatri, është kapur në vjedhje të votave. Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ju e dini fare mirë se si organizohen protestat e dhunshme. Asnjë prej protestuesve këtu nuk erdhi për të kryer akte dhune. Ato u provokuan dhe u nxitën nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës dhe i ekzekutuar nga një grusht policësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Ndërkaq për Berishën protesta shënoi fundin e kakistokracisë.

Berisha: Janë të mjerë, të braktisin sa më parë regjimin e kakistokracisë. Thirrja ime për policinë është bashkohuni me popullin.

Sipas tij Rama do të ketë të njëjtin fund me Ramiz Alinë. Madje sipas tij Rama pas kësaj proteste nuk do të mund të kthehet më në Vlorë.

Berisha: Edi Ramës i them se më 20 shkurt Ramiz Alia të mori me bizhama dhe të çoi në një bunker në Zall Herr bashkë me bllokmenët e tjerë. Tani nuk ka kush të con në bunker, jep dorëheqjen.

Duke iu përgjigjur deklaratave të ndërkombëtare për të mos ushtruar krerët e opozitës shprehen se është pushteti ai që provokoi

Eskalon protesta në Shqipëri, i vihet flaka derës së Kryeministrisë, 6 të lënduar

Nga gazi lotsjellës i emetuar në ajër është prekur edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai është parë teksa fshinte sytë me një shami.

Gjatë gjithë kohës policia ka hedhur gaz lotsjellës për të mbajtur protestuesit larg godinës së Kryeministrisë.

***

Protestuesit sërish kanë tentuar t’i afrohen hyrjes së Kryeministrisë në Tiranë, por kësaj radhe policia ka reaguar më shpejt duke hedhur gaz lotsjellës.

Protestuesit janë larguar nga hyrja, megjithatë protesta vazhdon.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Shqipëri, nëpërmjet një komunikate ka thënë se mbështesim të drejtën për të protestuar por dëmtimi i pronave publike nuk janë të pranueshme.

Image

***

Ndërkohë që protesta vazhdon, deri tani raportohet se janë plagosur 6 persona, 4 qytetarë dhe 2 efektivë policie.

Mësohet se dy efektivë kanë marrë plagë me mjete të forta në kokë dhe kurriz. Ata janë transportuar për në Spitalin e Traumës, ku po marrin mjekimin e nevojshëm.

Ndërkohë katër protestues kanë marrë ndihmën e parë nga ekipet e urgjencës mjekësore në terren dhe aktualisht po trajtohen në repartin e Toksikologjisë në QSUT.

Mjekët konfirmojnë që janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ndërkohë autoambulancat dhe ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri.

***

Një protestues ka mbetur i plagosur si pasojë e gazit lotsjelës që Garda e Republikës hodhi për të shpërndarë turmën e dhunshme që nisi të thyejë derën e kryeministrisë.

Protestuesi, një burrë në moshë, hipi mbi skenëln e vendosur tek hyrja e kryeministrisë që mbron derën dhe instalacionin ndricues, por teksa të gjithë të tjerët u shpërndanë pas hedhjes së gazit lotsjellës ai ka mbetur mbi strehën e derës së kryeministrisë pa u rënë në sy protestuesve.

Report Tv transmetoi LIVE në plane me dron momentin kur protestuesi qëndronte i shtrirë dhe pa ndjenja. menjëherë janë mbledhur protestuesit e tjerë të cilët janë ngjitur në skelë për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore.E kanë zbritur më tej poshtë për ta çuar drejt Ambulancës.

Ky moment u shfrytëzua nga protestuesit e tjerë për tu vërsulur drejt kryeministrisë ku i vunë flakën rrjetave mbrojtëse jeshile të vendosura në skelën para kryeministrisë.

Image

***

I vihet flaka derës së Kryeministrisë. Protestuesit vijojnë të qëndrojnë të palëkundur para derës së Kryeministrisë, ndërkohë që raportohet për thyerje xhamash në dritaret e portës hyrëse të Kryeministrisë.

Image
Image
Image

 

Image

Pas një situate tejet të tensionuar me përleshje e hedhje gazi lotsjellës, protestuesit vijojnë të qëndrojnë në skelën e montuar para Kryeministrsië.

Përleshje me policinë, zjarr në shkallë, eskalon protesta në Shqipëri 

Tensione të shumta dhe përplasja me policinë vazhdojnë të shoqërojnë protestën e ditës së sotme, ku protestues të shumtë kanë çarë kordonin e policisë si dhe janë përpjekur të thyejnë edhe xhamat e kryeministrisë. Të pyetur rreth kësaj përmase që mori protesta, opozitarët, Basha, Kryemadhi dhe Bereshia, u shprehën se, sipas tyre, ky është një plan i Kryeministrit Rama duke theksuar se kordoni u ça nga vetë policët.

“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit.

Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme.”, tha Basha.

Ndërkohë të njtën deklaratë ka bërë edhe ish kreu i PD-së, Berisha:  Të qëndronte në zyrë aty e kishte vendin ai, jo t’ia mbathte me antimiting. Ai ja mbathi ndërkohë policisë i tha prishi demonstruesi, shikoi çfarë skenari organizon. Megjithatë edhe atje do ketë një dron nga ajri që do kërkojë arrestimin e Ramës simbolikisht. Fuqia e kësaj proteste është nukleare, a u ça kordoni apo e çau policia nuk e di sepse sipas informacioneve të mia e çau policia kordonin i provokon polica protestuesit. Këto do ti analizojmë më vonë.

Ndërsa, kryetarja i LSI-së ka kërkuar që të ruhet qetësi, por ndërkohë që deklaron gjithashtu se çarja e rrethit të policisë ishte plan i Ramës.

***

Shfaqen pasojat e para të përleshjes mes protestuesve dhe policisë. Burime nga protesta raportojnë për protestues të lënduar.

Raportohen së paku 6 persona të lënduar, shumë të tjerë janë parë teksa janë shtrirë përtokë, kurse disa syresh ankohen për djegie sysh dhe probleme me frymëmarrjen.

Në vend duket mbërritja e ambulancës për të ndihmuar personat që mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore.

Gjatë nisjes së protestës pati përleshje mes protestuesve dhe policisë, ndërkohë që garda u përgjigj me hedhje gazi lotsjellës dhe uji me presion për të shpërndarë masën e madhe të protestuesve.

Kreu i PD-së, Basha, akuzoi policinë se ishte ajo që e cau vetë kordonin policor, si një skenar për nxitjen e dhunës.

Image
Image
Image

Tensionet në protestë, reagon urgjent Presidenti Meta

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar me një mesazh urgjent lidhur me gjithë sa po ndodh ndërkohë në protestën e opozitës së bashkuar.

Në një mesazh të qartë të presidentit, Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe evitim të dhunës.

‘Duhet vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve e dhunës. Ndërsa qytetarët duhet të protestojnë të lirë duhet të respektohen institucionet”- ka thënë Meta.

***

Shoqërohet me tensione dhe përplasje me policinë protesta para Kryeministrisë. Pasi u ça kordoni i Policisë që kishte rrethuar Kryeministrinë, protestuesit kanë tentuar të hyjnë brenda kryeministrisë në tentative për të hapur dyert.

**

Policia po apelon me megafon: “Te nderuar qytetar ndërprisni veprimet e dhunshme”;  “Policia do të zbatoje ligjin”

****

Pasi u ça kordoni i Policisë që kishte rrethuar Kryeministrinë, protestuesit kanë tentuar të hyjnë brenda kryeministrisë në tentative për të hapur dyert.

***

Disa protestues pasi kanë grisur rrethimin me mbulese jeshile të pjesës ballore të Kryeministrisë kanë hipur mbi skele duke tentuar të hyjnë brenda. Po tentohet hapja e dyerve të Kryeministrisë.

**

Protestuesit e opozitës kanë nisur përleshjen me forcat  rendit.

Mësohet se synimi është rrethimi i Kryeministrisë dhe me pas për ta mbajtur këtë institucion të rrethuar.

Pas disa tentativash ata kanë arritur të çajnë kordonin e policisë, ndërkohë që po tentojnë të hapin derën e Kryeministrisë.

Basha dhe Berisha këmbëkryq para Kryeministrisë, mblidhen protestuesit

Ka nisur protesta e opozitës së bashkuar para Kryeministrisë. Kreu i PD-se, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë ulur këmbëkryq së bashku me protestuesit e mbledhur të shumtë në numër para zyrës së Ramës, ndërkohë që ai po zhvillon ‘antimitingun’ në Vlorë.

Image

***

Kreu i Forumit Rinor Demokratik, Belind Këlliçi tha  se axhendën e protestës do ta vendosin qytetarët.

Ai shprehu shqetësimin se qeveria ka bllokuar rrugët për të mosë i lejuar qytetarët të vijnë në protestë.  Ndërsa theksoi se protesta do të jetë paqësore.

Këlliçi: E rëndësishme është që sot të gjithë qytetarët do të jenë në shesh, për të vendosur edhe axhendën e kësaj proteste. E kanë vendosur dhe kanë marrë një vendim qytetarët, nuk mund të vazhdohet me këtë kryeministër.

Mbrëmë janë bllokuar disa rrugë për të mos i lejuar protestuesit. Kjo tentativë nuk iu ka ndaluar qytetarët. Qytetarë nga veriu janë nisur edhe në këmbë për tiu bashkuar kësaj proteste.

Të rinjtë në këtë protestë janë kundër dhunës. Do ti dhurojnë policeve femra lule.

***

Në protestën e opozitës, e cila pritet të nisë pak momente më vonë, janë parë disa vajza me lule në duar.

Ato kanë dalë nga selia e Partisë Demokratike dhe janë bashkuar me pjesën tjetër protestuesve për të dhënë mesazhin e një tubimi paqësor.

Ndërkohë sipas PD, në protestë do jenë edhe 500 të rinj  të organizuar për të qëndruar përpara policëve që janë në kordonin e parë të sigurisë.

Image

Mbi 1500 efektivë për mbarëvajtjen e protestës, zbardhet plani i policisë 

Mbi 1500 efektivë policie janë angazhuar gjatë ditës së sotme, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar.

Raportimet në ditët e mëparshme, se elementë kriminalë mund të përfshihen në protestë, për të krijuar destabilitet, kanë rritur angazhimin dhe gatishmërinë e forcave policore.

Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.

Image

Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve.

Sipas burimeve të Top Channel, kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa është minimizuar prezanca e efektiveve femra në këtë radhë, për shkak të incidentit me Ina Nukën.

Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë.

Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.

Protesta në Tiranë, Policia ngre postblloqe të shumta, kontrollohen mjetet në hyrje të Tiranës

Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta sigurie, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar, e planifikuar për në orën 11:00 para kryeministrisë.

Kështu postbllo qe të shumta janë ngritur në dalje të qyteteve kryesore në rrethe, ku janë kontrolluar autobusët dhe mjetet që shërbenin për transportin e protestuesve.

Nuk mungojnë patrullat as në kryeqytet, teksa pranë sheshit Shqiponja, në hyrje të Tiranës, është ngritur një postbllok që kontrollon të gjithë mjetet e tonazhit të rëndë.

Image

Kontrollet e rrepta të policisë vijnë pas sinjalizimeve se në protestë mund të përfshihen nejrëz me precedentë kriminalë, me qëllim destabilitetin e situatës.

Prishet autobusi i Laprakës, bllokohet për disa minuta qarkullimi në Kamëz

Një autobus i linjës Qendër-Laprakë ka pësuar difekt në rrugën Tiranë-Kamëz, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin.

Kjo situatë ka shkaktuar kaos në trafik, por edhe nervozizëm te një pjesë e mirë e mjeteve me protestues, që janë duke ardhur drejt kryeqytetit.

Image

Brenda pak minutash kanë mbërritur shërbimet e policisë rrugore, ndërsa është bërë i mundur edhe ndezja dhe largimi i autobusit nga rruga, për të liruar qarkullimin.

Mbi 1000 protestues nisen nga Berati, PD ankohet se po bllokohen mjetet e transportit

Nisen autobuzët nga Berati për në protesetën e opozitës në Tiranë. Rreth 800 prostestues nga PD-ja Berat dhe 300 nga LSI-ja,janë nisur drejt Tiranës,për tu bërë pjesë e protestës së opozitës që fillon në orën 11 përpara kryeministrisë.

8 autobuza dhe 150 mjete, autovetura, janë mbushur me protestues të PD-së dhe LSI-së nga Berati,ndërkohë që nga Kuçova janë nisur 300 protestues, nga Ura-Vajgurore 150 dhe Skrapari 400 protestues.

Autobuzët dhe furgonat janë nisur përpara degës së PD-së së Beratit,ndërkohë që si asnjëherë tjetër,nga Berati janë nisur mbi 150 mjete tē vogla,autovetura.

Një autobuz me protestues u bllokua nga policia në dalje të qytetit të Beratit për 10 minuta dhe u zbritën jashtë protestuesit. Menjëherë pas mbërritjes së medias dhe kryetarit të PD-së Berat,autobuzi u lejua të largohet drejt Tiranës.

Autobuzët e Beratit nuk pajisen me fletë-udhëtimi drejt Tiranë nga terminali. Kryetari i PD-së Berat,Gazmend Azizi-:”Shteti po pengon ikjen e autobuzëve me protestues nga rrethet. Autobuzët u nisë pa fleta-udhëtimi por kjo do të thotë që rrezikojnë gjibitjen nga policia rrugës. Në rrugët e qytetit si asnjëherë tjetër ka shumë postblloqe policie në rrugë”.

Protesta në Shqipëri, FNSH dhe RENEA “blindojnë” Kryeministrinë

Militantë të partive opozitare dhe jo vetëm, nga të gjithë qytetet e Shqipërisë, janë nisur në orët e mëngjesit të sotëm drejt kryeqytetit, për t’iu bashkuar protëstës së thirrur nga opozita.

Siç raportojnë korrenspondentët e Top Channel në rrethe, autobusë të shumtë, por edhe mjete private janë vënë në dispozicion të protestuesve, për t’i sjellë në Tiranë.

Kështu nga Vlora raportohet se janë nisur rreth 1800 personanë dispozicion të të cilëve janë vënë më tepër se 10 autobnusë dhe dhjetëra makina private.

Në drejtim të kryqeytetit janë nisur edhe rreth 2000 protestues nga Lezha, dhe rreth 1000 të tjerë nga Laçi e Mirdita.

Burime nga selia e PD-së në Shkodër konfirmojnë për Top Channel se janë rreth 5000 qytetarë nga ky qytet, që janë nisur për të marrë pjesë në protestën e sotme.

Rreth 1000 vetë janë nisur edhe nga Gjirokastra, në dispozicion të të cilëve janë vënë rreth 7 autobusë, ndërsa konfirmohet se ky grupim është duke mbërritur në kryeqytet.

Po kështu raportohet se autobusët e nisur nga Shkodra, por edhe ata nga Berati, po u nënshtrohen kontrolleve të rrepta të policisë, me këtë të fundit që po verifikon prezencën e elementëve kriminalë.

Nisen protestuesit/ Tensione në Kryebushat, policia fotografon listën e udhëtarëve 

Ka nisur me tensione në Kryebushat nisja e protestuesve të zonës drejt Tiranës.

Policia ka ndaluar automjetet dhe ka bërë kontroll. 

Pasagjerët pretendojnë se po u bëhet preson vetëm për t’u marrë emrat shënim.

“Nuk ke të drejtë, nuk ke të drejtë, e keni zakon ju, e bëni vetëm me marrë emrat shënim”- dëgjohet të thotë një djalë i ri që konfliktohet me policinë.

Ndërkohë deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka theksuar se masiviteti është i paparë.

“Masiviteti është i paparë janë më mijëra qytetarë të Shkodrës që do të vërshojnë drejt Tiranës, sot flasin shqiptarët, sot politika hesht. Pritet ajo që qytetarët e dinë vet, është fjala e tyre, jo e politikës”-tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat