Një protestë e sakrifikuar në altarin e “17 majit” - Bota Sot
Një protestë e sakrifikuar në altarin e “17 majit”

Shqipëria

Një protestë e sakrifikuar në altarin e “17 majit”

Nga: Erl Murati Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 18:27
Erl Murati

U duk si një lajthitje post-Shën Valentini deklarata e 15 shkurtit e Elisa Spiropalit në emisionin “Provokacija”. Ajo tha se PS-ja është e gatshme të lëshojë pushtet ndaj opozitës sipas modelit “ca bashki t’i drejtojmë ne, ca ata”. Por, Spiropali vetëm e lajthitur nuk është, prej pak javësh ajo u emërua ministre dhe mban postin e zëdhënëses së qeverisë, pra është zëri direkt i Edi Ramës.

Kjo “ofertë” e Ramës 24 orë para protestës, mund të ketë qenë diversion ndaj opozitës. Por, në dritën e zhvillimeve të sotme ajo shëmbëllen më shumë me një këmbanë alarmi. Dhe “alarmi” është, mos është marrë peng opozita në këtë vend?

Lulzim Basha ka disa javë që mobilizon popullin për “protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria”, siç thotë ai, apo për protestën ku “populli merr në dorë fatet e tij” apo ca më keq, ku “shqiptarët do të rrethojnë kryeministrinë”. Ai përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet derisa të arrijë qëllimin: qeveri tranzitore, pa Edi Ramën, që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

E pra në orën e pestë të protestës, me bilancin e xhamave të thyer, kërpudhës së prishur, skelës së shembur dhe syve të lotuar nga gazi lotsjellës, ajo që u paralajmërua si demonstratë pa kthim, mori fund.

“Herën tjetër…”, kërcënuan krerët e opozitës para kamerave.

Po herën tjetër, sepse këtë herë opozita vendosi të zbatojë lejen e policisë, protestuesit u rreshtuan para kryeministrisë dhe jo në krah të saj, siç ishte paralajmëruar në rrethimin e famshëm.

E pra unë nuk besoj se opozita s’ka fuqi të rrethojë kryeministrinë apo se krerët e protestës u bënë papritmas “burra shteti” që zbatojnë rregulloret e Sandër Lleshajt.

S’dua të keqkuptohem: ky shkrim nuk është zhgënjim për “dhunën e pamjaftueshme”, përkundrazi. Dhuna është krim dhe ajo nuk duhet relativizuar apo glorifikuar në asnjë rast.

Por, populli thotë: o fol e mba, o…

Nëse ke paralajmëruar qëndresë, qëndresë duhet të bësh. Studentët u thanë në të ftohtin e dhjetorit dhe pavarësisht se ca thonë “protesta dështoi”, qëllimin e arritën. Kërkuan anulim tarifash, fituan përgjysmim tarifash. Pra, sakrifikuan, por nuk dolën duarbosh.

Pse kujtoni se bërtisnin sot “Berisha – Berisha” militantët e PD? Mos i mori malli pas 6 vitesh për Doktorin? Aspak, por ata refuzojnë mënyrën “tërhiq e mos e këput” të të bërit opozitë nga Lulzim Basha.

Ka gjasë që kumti i Spiropalit “ca bashki ne, ca ata” të mos ketë qenë diversion, por një konfirmim i hijes së zezë të mesnatës së 17 majit 2017, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha u mbyllën për orë të tëra, kokë më kokë, për të vendosur fatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Dihet përfundimi i marrëveshjes: bashkëqeverisje, pra ndarje pushteti në tavolinë.

Andaj unë e shoh si kulminacion të filozofisë së 17 majit, emërimin e Bodes në BSH, emërimin e Bregut në RCC, emërimin e gardistëve të 21 janarit në PS, rikthimin e drejtorëve të kohës së Berishës në krye të policisë së Shtetit, promovimin e negociatorëve të paktit famëkeq detar nga kjo qeveri, ruajtjen e bizneseve të përbashkëta nëpërmjet oligarkëve të përbashkët, etj.

Kohë pas kohe, njerëz të ndryshëm politikanë ose jo, kanë hedhur dyshime se ky pakt famëkeq vazhdon, se Rama dhe Basha pavarësisht teatrit me vezë dhe bojë ditëve të enjte, ruajnë komunikimin mes tyre. Këtë e pohoi edhe kryeministri Rama 3 javë më parë. Ditën kur i tha Berishës “a e kalon dot Atlantikun”, midis rreshtave ai iu drejtua Bashës “se ne komunikojmë…”

E pra, nëse Rama dhe Basha komunikojnë, ata nuk e bëjnë se janë shokë fëmijërie, klase e lagjeje, nuk e bëjnë se i lidh profesioni e pasioni. Ky komunikim është një thikë në shpinën e demokracisë, ku popullit i serviret një teatër kinse pluralist dhe në fakt, pluralizmi sakrifikohet në altarin e një duopoli politik, ku rotacioni ndodh në tavolinë e ku pushteti i rradhës kujdeset për shëndetin, pasurinë dhe mosprekjen nga drejtësia të opozitës së rradhës.

Teatri vazhdon, të gjithë flasin në emër të popullit dhe i vetmi që e ha në fund, është populli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...