Përdoret për të shpërndarë turmat, çfarë është konkretisht gazi lotsjellës

Shqipëria

Përdoret për të shpërndarë turmat, çfarë është konkretisht gazi lotsjellës

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 20:26
Foto ilustrim

Gazi lotsjellës i përdorur sot nga Garda e Republikës ndaj protestuesve të opozitës që kërkonin të futeshin në kryeministri, është një substancë që përdoret gjerësisht nga policitë në mbarë botën për të shpërndarë turmat. 

Në një kërkim të Opinion.al mbi këtë substancë, rezulton se efektet e gazit lotsjellës të përdorur nga autoritetet zgjasin rreth 30 minuta dhe nuk lënë pasoja në shëndetin e njeriut.

Gazi lotsjellës është një lëndë aerosolike (lëndë ku bashkohet një lëng me një sasi të caktuar gazi) e cila shkakton lot, vështirësi në mbajtjen e syve hapur, kollitje, vështirësi në frymëmarrje dhe ndonjëherë edhe vjellje.

Sipas të dhënave në mediat e huaja, gazi lotsjellës përdoret nga të gjitha policitë e botës për të vënë nën kontroll situatat e acaruara. Zyrtarisht gazi lotsjellës quhet armë kimike, por nuk është vdekjeprurës. Ai përdoret si një mjet për pengim të turmave apo çorientim të tyre, por jo për të sulmuar. Prandaj hedhja e tyre bëhet nëpërmjet disa pajisjeve që janë në formën e cilindrave termikë, të cilët sapo prekin tokën e shndërrojnë lëndën lotsjellëse në tym të bardhë.

Mes shumë substancave lotsjellëse që përdoren, tre janë më kryesoret: gazi CS, gazi CR dhe gazi CN. Shumë studime janë zhvilluar për të matur efektet që kanë këto gazra dhe është arritur në përfundimin se efekti i tyre mund të zgjasë rreth 30 minuta. Nëse doza është më e fortë efekti mund të arrijë deri në 45-60 minuta.

Duhet thënë se këto tre gazra, në doza të mëdha, japin efekte të forta toksike. Gazi CS dhe CR mund të shkaktojë enjtje deri në hemorragji në mushkëri. Gazi CN në doza të mëdha mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në kornenë e syrit. Gjithsesi ky nuk është rasti kur përdoren në gazrat lotsjellës të policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat