Universitetet tregojnë financat. Urdhri i dy ministrive i detyron t’i deklarojnë çdo muaj - Bota Sot
Universitetet tregojnë financat. Urdhri i dy ministrive i detyron t’i deklarojnë çdo muaj

Shqipëria

Universitetet tregojnë financat. Urdhri i dy ministrive i detyron t’i deklarojnë çdo muaj

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 22:38
Universitetet publike duhet të publikojnë në faqen përkatëse të tyre, informacionin mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të tyre.

Pas dy muajsh protestë dhe bojkotit të studentëve, kërkesat e tyre po arrijnë të kthehen në urdhra. Një i tillë është urdhri i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave, për garantimin e transparencës në institucionet e Arsimit të Lartë.

Brenda datës 15 të çdo muaji, të gjitha universitetet publike duhet të publikojnë në faqen përkatëse të tyre, informacionin mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të tyre.

Raporti financiar do të ketë një format të përcaktuar: me të dhëna të detajuara në lidhje me shpenzimet nga granti i buxhetit të shtetit për ndërtimet, rikonstruksionet, për blerjet e pajisjeve kompjuterike, mobiljeve, bibliotekave, si dhe do të raportohet për shpenzimet e personelit për paga, orë jashtë kohës normale të punës, apo shpërblime.

Do të pasqyrohen shpenzimet edhe për dietat e udhëtimet e punonjësve të institucioneve dhe të tjera shpenzime, në varësi të veprimtarisë së tyre.

Nga ana tjetër, studentët do të përzgjedhin një prej anëtarëve përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Bordin e Administrimit, ku Universiteti i Tiranës ka hapur procesin zgjedhor. Studentët kanë të drejtë tashmë të paraqesin 3 kandidatura, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në VKM.

Studentët kërkonin që të kishin ata vet një përfaqësues të tyre në Bord, por kjo nuk u pranua nga ministrja Besa Shahini, që theksoi se për të qenë pjesë e Bordit të Administrimit, çdo kandidat duhet të jetë person me profil publik dhe arritje të shquara brenda apo jashtë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...