Në Tiranë vazhdojnë polemikat dhe arrestimet pas protestës së opozitës

Shqipëria

Në Tiranë vazhdojnë polemikat dhe arrestimet pas protestës së opozitës

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 07:19
Pamje nga protesta

Në Tiranë vazhdojnë arrestimet edhe komentet politike dy ditë pas protestës së opozitës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se do të propozojë në grupin parlamentar djegien e mandateve parlamentare, të cilën e quajti si një mesazh që erdhi nga protesta.

Sipas tij, protesta mbështeti kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme dhe qeveri legjitime.

Zoti Basha tha se Partia Demokratike nuk do jetë më fasadë e një parlamenti të dalë nga zgjedhje, që i ka diktuar krimi.

Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.

Lidhur me propozimin e zotit Basha për djegien e mandateve opozitare në parlament pritet edhe reagimi i LSI-së, e cila më parë ka qenë kundër kësaj ideje, si edhe aleatëve më të vegjël opozitarë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se opozita po ndjek një politikë qorre, që e goditi Shqipërinë në sytë e botës dhe u dha material atyre që janë kundër negociatave me BE-në.

Policia në Tiranë bëri të ditur se ka arrestuar 15 persona pas protestës së djeshme të opozitës për “Kundërshtim të policisë”, “Goditje në detyrë”, “Shkatërrim prone” dhe “Prishja e qetësisë publike”, raporton VOA.

Mijëra përkrahës të opozitës morën pjesë dje në një protestë para selisë së qeverisë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”.

Por para se të nisnin fjalimet, nisi përplasja e policisë me qyetarë të irrituar, që sulmuan portën e kryeministrisë.

15 personat e arrestuar janë shumica nga Shqipëria e mesme, ndërsa në kërkim policor edhe 7 të tjerë, ndërsa 5 qytetarë u proceduan në gjendje të lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat