TECHSPACE, hapësira më e re për inovacionin në shërbim të studentëve

Shqipëria

TECHSPACE, hapësira më e re për inovacionin në shërbim të studentëve

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 16:17
Edi Rama

TECHSPACE është hapësira më e re për inovacionin e vendosur në shërbim të studentëve e nxënësve të teknologjisë digjitale dhe në kuadrin e angazhimeve të Paktit për Universitetin.

Nga ambientet e kësaj qendre, Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë përpjekje si “një moment të rëndësishëm të sinergjisë që ne duam të krijojmë mes qeverisë dhe universiteteve”.

“Në këtë hapësirë këtu ne dëshirojmë që studentët e universiteteve përkatëse, por edhe të gjithë nxënësit e shkollave profesionale të lidhur me teknologjinë, të kenë shtëpinë e tyre dhe të krijohet një hapësirë e ballafaqimit të ideve, sfidave të reja dhe konkurencës me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Kryeministri shoqërohej po ashtu edhe nga Drejtori i Vodafone, një kompani që sipas tij është e gatshme të mbështesë idetë dhe projektet më të mira inovatore.

“Sot kam ftuar drejtuesin e Vodafone në avangard të përpjekjeve për të lidhur shkollën me universitetin, qeverisjen dhe tregun. E kam ftuar për të parë nga afër këtë realitet, por edhe që t’ju them se nëse do të keni ide të mira dhe do të bëni projekte atraktive do t’i merrni edhe Vodafonit fonde”, tha Rama.

Shumëkush niset nga sa ka, tha Kryeministri duke theksuar se “ata që duan të bëjnë sukses nisen nga çfarë duan të bëjnë”. “Vendet dhe organizatat nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga sa dinë të bëjnë. Në shumë raste ajo që kanë nuk e përcakton shkallën e zhvillimit të vendeve, por ajo që dinë të bëjnë”, tha Rama.

Rama u shpreh realisht i kënaqur që jemi në momentin e formalizimit të një partneriteti me universitetin dhe krijimit të një hapësire në dispozicion të pedagogëve e nxënësve nga e cila ne duam të përfitojmë maksimalisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat