Çfarë ndodh nëse opozita djeg mandatet, flet ish- kreu i KQZ-së

Shqipëria

Çfarë ndodh nëse opozita djeg mandatet, flet ish- kreu i KQZ-së

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 17:39
Kristaq Kume

Heqja dorë nga mandati i të gjithë deputetëve opozitarë dhe i kandidatëve të opozitës në listën e 2017 do të krijojë një situatë që nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor.

Në librin e rregullave për zgjedhjet në nenin 164 shkruhet që në rast se lista shumë emërore shteron, mandati i kalon partive të koalicionit, por në zgjedhjet e vitit 2017 partitë kanë garuar pa koalicione.

Nisur nga ky fakt, ish kryetari i KQZ, Kristaq Kume shprehet se mandati mund t’i kalojë partive të tjera që kanë më shumë vota, qofshin edhe Partisë Socialiste.

Para gazetarëve njohësi i mirë i Kodit Zgjedhor dha këtë opinion ligjor: "Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me dorëheqjen ndaj një mandati të caktuar.  Pra është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor. Nëse realizohet do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakanca dhe për këtë njoftohet KQZ për të plotësuar vakancat. Mënyra si ndodh më pas nuk është shprehur në Kodin Zgjedhor por për analogji mund të merret rasti i vakancës së krijuar nga  një deputet i pavarur. 

Që do të thotë KQZ do të thërrasë anëtarët kandidatë të PD-së në listë dhe asnjëri prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet tia ofrojë mandatin subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka. Por e gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e të gjithë vendit.

Mandati i kalon nje partie tjeter - Për rastin e kalimit të mandateve, Kristaq Kume merr shembullin ku në kod flitet për deputetët e pavarur. Në rast dorëheqje të tyre, mandati i kalon partisë që ka herësin më të lartë

 Pyetja lind: Mandati i një partie opozitare a mund ti kalojë një partie tjetër? Të kemi hyrjen në parlament të forcave të tjera

"Në parlament mund të hyjnë në vakanca nga lista që kanë qenë në garë në procesin zgjedhor në të kaluarën dhe sipas llogaritjeve që bëhen ka herësin më të madh. Mund të futen parti të tjerë që kanë garuar. Në një rast të tillë nuk ka përgjigje direkte të shprehur në Kodin Zgjedhor. Nisur nga kjo për analogji mund të përdoret largimi i një deputeti të pavarur. Kur largohet deputeti i pavarur mandatin e tij KQZ duhet tia japë subjektit me herësin më të lartë. Kjo është analogjia që mund të përdoret. Që do të thotë që kjo  hap shtegun që të marrin mandatin partitë politike që kanë garuar por që kanë herësin që mund ta përfitojnë një gjë të tillë.

Maxhoranca te reflektoje- Por thelbi sipas Kumes është tjetër. Kjo situatë parlamentare që mund të krijohet do të jetë e vështirë për vendin, prandaj maxhoranca duhet të marra masat ta parandalojë

Kristaq Kume: E gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e të gjithë vendit. Ne jemi një shoqëri që kemi pranuar të qeverisemi sipas parimit të përfaqësimit përmes zgjedhjes së deputetëve dhe krijimit të maxhorancës dhe të opozitës. Duhet të jenë këto të dyja së bashku që të mund të mirëqeverisemi nëse opozita largohet do të thotë që mundësitë e mirëqeverisjes zvogëlohen deri në minimum, pra Kuvendi mund të funksionojë me këtë përbërje që ka. Maxhoranca i ka numrat për të hapur punimet në kuvend, për të marrë vendime, jo ato me shumicë të cilësuar por në raste të tilla nuk është ajo që kërkohet të bëhet në një shoqëri që duhet dhe të qeverisë sipas parimit që thashë. Prandaj duhet që një vendim i tillë i PD-së të bëjë që maxhoranca të reflektojë dhe të kërkojë të gjejë zgjidhje për të shbërë këtë situatë ngërçi nëse krijohet." 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat