Skrapar/ Grupi i PS miraton buxhetin, kryetari i Bashkisë së LSI bllokon financimet për kopshtet e çerdhet

Shqipëria

Skrapar/ Grupi i PS miraton buxhetin, kryetari i Bashkisë së LSI bllokon financimet për kopshtet e çerdhet

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 19:14
Ilustrim

Këshilli Bashkiak Skrapar ka marrë në shqyrtim projektbuxhetin për vitin 2019 me 10 vota Pro ka miratuar projektbuxhetin me 4 ndryshime, si më poshtë vijon :

-Niveli i pagave të punonjësve të jetë 100% sipas VKM për çdo vend pune, pasi në p/buxhetin e paraqitur nga Bashkia rezultonin 157 punonjës që paguheshin me 65-95% të pagës (neni 154, pika ‘’ç’’ e ligjit 139/2015).

-Ka miratuar numrin maksimal të punonjësve të saj dhe institucioneve në varësi, pra në rastin konkret të jenë 244 punonjës nga 379 dhe kjo për arsye se Këshilli ka gjykuar se organika është e tej fryrë dhe numri i popullsisë nga viti në vit, ka ardhur në rënie (neni 154, pika ‘’dh’’e ligjit 139/2015).

-Miratoi bashkimin e 4 Njësive Administrative që kanë gjendje civile të përbashkëta ,lidhje territoriale me njëra-tjetrën dhe rënie të numrit të banorëve (neni 96 ,ligji 139/2015) .Synimi ishte shkurtimi i shpenzimeve administrative, por edhe shfrytëzimi i kapaciteteve të specialistëve me arsim të lartë, pasi në disa njësi specialistët janë me arsim të mesëm.

– U vendos që të gjitha efektet financiare nga shkurtimet në organikë dhe nga bashkimi i njësive, të kalojnë për investime në zonën e Tomorricës, e cila ka ofro 40 fshatra me infrastrukturë të mjerueshme rrugore, objekte arsimore e shëndetësore të rrënuara, etj.

Pra, u miratua buxheti me ndryshimet e mësipërme me 10 vota Pro nga 15 anëtarë që përbëjnë Këshillin.

Këto vendime u zbardhën nga Sekretaria e Këshillit, u firmosën nga Kryetari i Këshillit dhe nuk u vulosën nga Kryetari i Bashkisë. Vendime, këto të cilat do të merenin konfirmim për bazueshmëri ligjore nga institucioni i Prefektit të Beratit.

Kjo për shkak se Bashkia kërkonte që të konsumoheshin afatet ligjore të miratimit të buxhetit me zvarritje të procedurave dhe në këtë rast të shpërndahej Këshilli. Në këto kushte, Prefekti kërkoi mbledhjen e Këshillit, e cila u bë më datën 04.01.2019 dhe po në këtë mbledhje, u miratuan ndryshimet në buxhet me 11 vota Pro nga 15 anëtarë që ka gjithsej Këshilli, përfaqësues nga të gjitha forcat politike që kanë anëtarë në Këshill dhe konkretisht: PS,LSI,PD,PR,PDS.

Vendimet e Këshillit janë miratuar dhe konfirmuar  për bazueshmëri ligjore nga institucioni i Prefektit dhe i janë dërguar për zbatim Bashkisë, e cila duhet të paraqesë për miratim në Këshill reflektimin e të gjitha ndryshimeve të vendosura nga Këshilli Bashkiak. Në këto kushte fillon zbatimi i buxhetit të ri 2019.

Pra Këshilli e ka miratuar buxhetin me votim të pastër ,me shumicë absolute, me ndryshime siç parashikohen në kompetencat e tij, të cilat janë aprovuar ose konfirmuar për bazueshmëri ligjore edhe nga Prefekti i Qarkut Berat.

Këshilli Bashkiak nuk ka marrë asnjë vendim për të mbyllur çerdhe, kopshte apo shërbime të tjera apo për të pakësuar numrin e personelit arsimor në to, pasi këto janë funksione të deleguara dhe ligjërisht nuk i cenon dot askush.

Këshilli Bashkiak nuk bën strukturën organike të Bashkisë, as nuk shkurton apo shton sektorë të rinj, por në mbështetje të ligjit nr. 139/2015. neni 54. pika (ç) dhe (dh) e tij, përcakton nivelin e pagave të punonjësve dhe numrin maksimal të punonjësve të Bashkisë dhe institucioneve në varësi të saj.

Në këto kushte ka marrë vendim që pagat e punonjësve të jenë 100% sipas VKM përkatëse në një kohë që në Bashki një numër prej 157 punonjësish merrnin 65-90% të pagës, duke shtuar artificialisht numrin e punonjësve vetëm për qoka elektorale.

“Është jashtë çdo logjike financiare dhe ligjore që në një bashki e vogël si ajo e Skraparit, që ka afërsisht 10 mijë banorë rezidentë, të ketë një administratë të super fryrë prej 400 vetash, ku “beu” i Skraparit Nesim Spahiu kërkon 9 të punësuar vetëm në kabinetin e vet të Kryetarit, pasi që punësimet i shikon si mënyrën e vetme për të mbajtur karrigen e vet të Kryetarit të Bashkisë.

Fryma e Reformës territoriale dhe administrative e vitit 2015, ishte dhe mbetet shërbim më i mirë dhe i plotë për qytetarin dhe përdorimi i mjeteve financiare dhe parave publike për shërbime më të mira për qytetarin, investime në infrastrukturë, përmirësim të kushteve të jetesës së banorëve, për zhvillimin e zonave rurale ku nëpërmjet investimeve të hapen vende të reja pune dhe të arrihet nivel jetese më i lartë për qytetarët.

Ndërkohë, qëndrimi i kryetarit dhe krahut të tij politik është në kah diametralisht të kundërt me Reformën territoriale dhe administrative, pasi shikohet vetëm si një mjet për të vjelë vota dhe përfitime financiare për njerëzit që përdor politikisht për fushatë.

Bëjmë me dije gjithë opinionin publik se Këshilli i Bashkisë Skrapar ka votuar unanimisht që të gjitha të ardhurat që mblidhen nga shkurtimi i vendeve të punës të krijuara artificialisht do të shkojnë për investime në infrastrukturë shkolla, ujësjellës- kanalizime, etj. në zonën e Tomorricës, e cila është zona më e varfër dhe e prapambetur në Skrapar, ku nuk është vënë dorë asnjëherë përgjatë gjithë viteve të tranzicionit.

Për sa më sipër i bëjmë thirrje publikisht kryetarit të Bashkisë Skrapar të ndërpresë të gjitha manovrat e tij që nuk impresionojnë askënd dhe në zbatim të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ti paraqesë urgjent Zyrës së Thesarit Skrapar organigramën e re, sipas numrit maksimal të punonjësve të miratuar njëzëri nga Këshilli Bashkiak duke implementuar në praktikë buxhetin e miratuar nga Këshilli i Bashkisë.

Tentativat e dëshpëruara të kryetarit të bashkisë për të bërë viktimën politike nuk kanë asnjë bazë ligjore pasi këshilli është votuar nga populli dhe është përcjellësi më i mirë i halleve dhe shqetësimeve të popullit të Skraparit.

Përfundimisht hedhim poshtë me indinjatë, si ligjërisht edhe politikisht, çdo pretendim të kryetarit të bashkisë Skrapar.

I bëjmë thirrje Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrit të Brendshëm që të zbatojnë të gjitha sanksionet që parashikon ligji për moszbatim të vendimeve të Këshillit Bashkiak të Skraparit, si i vetmi parlament legjitim i kësaj bashkie”, thuhet ne deklaraten e keshilltareve socialistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat