Si zëvendësohen mandatet? Ekspertët: Parti të tjera mund të hyjnë në Parlament

Shqipëria

Si zëvendësohen mandatet? Ekspertët: Parti të tjera mund të hyjnë në Parlament

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 07:13
Foto ilustrim

Në kushtet kur Kodi Zgjedhor nuk parashikon konkretisht çfarë bëhet me mandatet e një force politike, kur ajo nuk garon në koalicion, ekspertët mendojnë se zgjidhja mund të gjendet për analogji në parashikimin e legjislacionit për deputetët e pavarur.

“Kur largohet një deputet i pavarur, KQZ mandatin e tij ia kalon subjektit me herësin më të madh. Nëqoftëse KQZ do të thërrasë kandidatët e PD-së në listë dhe asnjë prej tyre nuk do të pranojë të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë pastaj mandatin, subjektit zgjedhor me herësin më të madh”, tha Kristaq Kume.

Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Kristaq Kume, kjo do të thotë që disa mandate mund t’u kalojnë forcave ekzistuese parlamentare, por edhe parti të tjera mund të futen në Parlament, mes radhëve të atyre që garuan qershorin e vitit 2017.

“Në Parlament mund të hyjnë nga lista e atyre subjekteve që kanë qenë në garë në procesin zgjedhor të kaluar, e që sipas përllogaritjeve kanë herësin më të lartë të marrë të mbetur, pra mund të futen edhe parti të tjera që kanë garuar”, tha Kristaq Kume.

Një tjetër ekspert, nënkryetari aktual i KQZ-së, Denar Biba shpjegoi në studion e “TopTalk” se djegia e mandateve do të thotë dorëzim i tyre, që kërkon një vendim individual të secilit deputet.

“Nuk mund të bëhet përmes deklaratash politike, por bëhet individualisht, shkohet në Kuvend çdo deputet, duke qenë se mandati është individual, jo kolektiv”, tha Denar Biba.

Sipas nënkryetarit të KQZ-së, nëse PD-ja vendos të mos futet në zgjedhje, sistemi demokratik garanton vijimësinë përmes forcave të reja politike.

“Më e rëndësishme se cilido nga ne, cilado parti, është vijimësia institucionale dhe demokracia në vend. Mund të ndodhë që për çfarëdolloj arsyesh, një parti edhe të zhduket. Ka ndodhur në vende si Greqia, që parti historike të shkojnë nga mbi 100 deputetë, në 6 deputetë, por demokracia ka vijuar. Forca të reja një ditë do të dalin”, tha Denar Biba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat