Basha: Pengesa për në BE është Rama

Shqipëria

Basha: Pengesa për në BE është Rama

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 12:59
Lulzim Basha

Kreu i PD Lulzimi Basha ka komentuar serish sot vendimin për djegien e mandateve duke thënë se nuk është thjesht djegie mandati, por se nuk do të ketë më Kuvend. Basha e quajti Ramën pengesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

“Në qoftë se dikush pretendon se në Europë shkohet me një qeveri të lidhur me bandat dhe problemi është opozita që kundërshton këtë, ky është një pretendim i gënjeshtërt dhe shqiptarët kanë kohë që nuk i hanë më këto gënjeshtra. Shqiptarët janë zgjuar nga këto gënjeshtra. Tre herë dera e Europës është mbyllur për këto arsye ndaj kjo është një thirrje për realizëm, për përgjegjësi. Ne na duhet një BE me besueshmëri. Besueshmëria e atyre që flasin në emër të BE-së është shumë e rëndësishme në këtë proces pa kthim të mbrojtjes së demokracisë, pushtetit ligjor dhe ndarjen e kontrollin e demokracisë”, tha Basha.

Një ditë pasi deputetët e PD vendosën djegien e mandateve, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar sot Kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishanin, ku është diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Në përfundim të këtij takimi, i pyetur nga gazetarët Basha tha se hapi i parë që duhet ndërmarrë është dorëheqja e Kryeministrit Rama, ndërsa theksoi se nuk ka kthim pas.

“Nuk ka kthim prapa, nuk është thjesht djegie mandatesh, nuk do ketë më parlament, nuk do ketë parlament fasadë, ata mund të mblidhen të marrin vendime dhe shqiptarët do i përgjigjen. Ne do të jemi krah qytetarëve. Nuk ka lëvizje më pro Europës se kjo që po bën PD”, tha Basha.

Më tej Basha shtoi se kushdo që ka vjedhur do të shkojë në burg.

“Rama duhet të japë dorëheqjen, duhet të jetë në burg. Të gjithë ata që kanë vjedhur duhet të jenë në burg. Vangjush Dako duhet të shkojë në burg, Damian Gjiknuri që është kapur duke vjedhur vota, duhet të shkojë në burg, Taulant Balla duhet të shkojë në burg, në burg i çon drejtësia, por duhet një qeveri që nuk e pengon drejtësinë. Hapi i parë është dorëheqja e Ramës”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat