Adoleshentët braktistin mësimin, detektivja: Problem droga

Shqipëria

Adoleshentët braktistin mësimin, detektivja: Problem droga

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:25
Shkënda Lili

Prindërit mendojnë se fëmijët e tyre janë në shkollë por shumë adoleshentë braktisin orët e mësimit për të qëndruar me orë të tëra në kafe me shoqërinë apo të dashurën/in. Është ky alarmi që ka ngritur sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Shkënda Lili, detektive private së cilës gjithmonë e më shpesh prindërit i kërkojnë ndihmë për të mbikqyrur apo kontrolluar fëmijët e tyre adoleshentë.

”Problematikat më të shpeshta që kam hasur në investigimin e adoleshentëve është lënia e orëve të mësimit e para, prindërit i lënë në shkollë dhe është i sigurt që fëmija i tij është ambjenteve të shkollës. Në fakt nuk ndodh kështu, ka fëmijë që në mëngjes nuk futen fare në shkollë, shkojnë nëpër kafe dhe qëndrojnë me orë të gjata. Ka vajza të cilat kanë një të dashur, që kryesisht është në moshë madhore, pra jo gjimnazistë. Ka një sërë problematikash për adoleshentët, duke përfshirë edhe drogën. Edhe brenda ambjenteve të shkollës, ndodh që në shkollë shpërndahet droga nga vetë nxënësit që e marrin nga jashtë”.

Lili theksoi se bëhet fjalë për raste konkrete që ajo ka hetuar personalisht pas kërkesës së prindërve, duke treguar për raste marrëdhëniesh intime mes një të miture 16-vjeçare me një të rritur mbi 30 vjeç, çka është e jashtëligjshme.

”Pra droga dhe lidhjet e dashurisë së adoleshenteve janë ndër problemet kryesore, por problemi është që lidhjet krijohen jo me moshatarë por me persona shumë më të mëdhenj në moshë. Ka shumë raste të tilla. Kam patur një rast konkret investigimi të një vajze 16 vjeçe që shoqërohej me një djalë mbi 30 vjeç. Bëhet fjalë për një vajzë që vinte nga tjetër qytet, jo në Tiranë. Ajo ishte e lidhur me një biznesmen, vajza nuk shkonte në shkollë por hypte në makinë dhe ikte me të”.

Sipas detektives, droga dhe marrëdhëniet intime janë që të dyja probleme që hasen tek adoleshentët sot, kryesisht të ndara sipas gjinive, ku vajzat braktisin orët e mësimit për të qëndruar me të dashurin, ndërsa djemtë nisin duhanin apo hashashin.

Të dyja janë shumë problem, nuk i ndaj dot por zakonisht vajzat më rezulton që lënë orët e mësimit për shkak të lidhjeve që krijojnë. U kërkojnë të dashurit të lënë shkollën për të dalë për kafe apo dreka. Ndërsa tek djemtë problem më i madh është duhani dhe droga. Prindërit e kanë mendjen e fjetur se fëmijët e tyre janë në shkollë, se duhet të theksoj diçka në gjimnazet shtetërore jo gjithmonë njoftohet prindi kur fëmijët nuk paraqitet në mësim, siç ndodh ndërkaq në shkollat private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat