Ngadalësohet Vettingu – Në dy muaj, 16 gjyqtarë e prokurorë në sitën e Komisionit të Kualifikimit

Shqipëria

Ngadalësohet Vettingu – Në dy muaj, 16 gjyqtarë e prokurorë në sitën e Komisionit të Kualifikimit

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 16:13
Foto Ilustrim

Ritmet e procesit të Vetting-ut kanë shënuar një rënie të dukshme gjatë dy muajve të parë të vitit. Për janarin dhe shkurtin, Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë vetëm 16 gjyqtarë e prokurorë, përkatësisht 8 për secilin muaj.

Numri i seancave ka rënë ndjeshëm krahasuar me nëntorin dhe dhjetorin e vitit të shkuar, kur u kaluan në sitë përkatësisht nga 11 gjyqtarë e prokurorë.

Në total numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kaluar në sitë në vitin e parë të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit po shkon rreth 100, shumë i ulët duke parë se numri total i magjistratëve që do t’i nënshtrohen Vetting-ut është 802.

Por me gjithë ritmet e moderuar, shkarkimi i rreth gjysmës së magjistratëve të kaluar në sitë deri tani, ka pasur një efekt dramatik për vetë gjyqësorin, por veçanërisht për cilësinë e drejtësisë që marrin qytetarët.

Shkarkimi nga Apeli i Vetting-ut i Bashkim Dedjas bëri që Gjykata Kushtetuese të mbetet pas asnjë gjyqtar, duke qenë se e vetmja anëtare që i mbijetoi procesit, Vitore Tusha, është me mandat të përfunduar. Gjykata e Lartë u reduktua në 4 anëtarë nga shkarkimet, numër që mund të ulet edhe më tej nëse apeli do të shkarkojë Edmond Islamajn.

Boshatisja e këtyre gjykatave është kthyer në një problem të vërtetë jo vetëm për cilësinë e drejtësisë që u ofrohet qytetarëve, por edhe për funksionimin e shtetit, duke parë përplasjet e forta politike që kanë shpërthyer veçanërisht ditët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat