I riu u gjet i ekzekutuar në makinë, kush dyshohet të jetë autori i krimit

Shqipëria

I riu u gjet i ekzekutuar në makinë, kush dyshohet të jetë autori i krimit

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 16:30
Sokol Rama

Detaje të reja per vrasjen e 32-vjeçarit nga Tepelena, i cili ishte zhdukur prej dy javesh. 

Trupi i Sokol Ramës është gjetur paraditen e djeshme në një zonë të Malëshovës në Këlcyrë.

Sokol Rama dhe Roland MiloTrupi i të riut është gjetur në makinën e vet në vendin e quajtur “Përroi i Thellë”, i ekzekutuar me armë zjarri.
 
Autor i vrasjes dyshohet të jetë shoku dhe bashkëpunëtori i tij, Roland Milo, nga fshati Miçan i Përmetit, tashmë i shpallur në kërkim policor. Rama dhe Milo janë në listën e personave me precedentë kriminalë.
32-vjeçari Rama është dënuar më parë për vjedhje dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa Milo, rreth 40 vjeç, punonte aktualisht si shofer i administratorit të Njësisë Administrative Frashër, por njihet nga Policia si person që merrej me trafikimin e lëndës narkotike, edhe pse ende i paskeduar si i tillë.

Ende nuk dihen detaje të hollësishme të kësaj ngjarjeje, por pista kryesore e Policisë së Tepelenës dhe asaj të Gjirokastrës është prishja e pazareve të drogës. Mësohet se ka qenë 40-vjeçari Milo, ai që e ka përfshirë Ramën në pazarin e jashtëligjshëm dhe që në fund i mori dhe jetën.

Milo u deklarua i zhdukur dy ditë pas denoncimit të familjarëve të Ramës, për zhdukjen e të birit, djalë i vetëm mes katër motrave dhe dy prindërve të moshuar. Efektivë të shumtë policorë dhe një helikopter bënë krehjen e zonës ku u identifikuan për herë të fundit.
Nga përgjimi i telefonave të Sokol Ramës, Policia arriti të bënte pesë ditë pas zhdukjes së tij, identifikimin e sinjalit telefonik të njërit prej telefonave të tij, duke e lokalizuar në 

Frashër të Përmetit. Ka qenë kjo zona ku dyshohej se ndodheshin dy personat e shpallur në kërkim, pas denoncimit të familjarëve.

Fillimisht, u mendua se ata ishin fshehur në zonën e thellë malore të Frashërit në Përmet, ku u përqendruan edhe kërkimet e Policisë. Trupi i tij u gjet në një humnerë, në makinën e vet fuoristradë, në zonën e quajtur “Përroi i Thellë”, një vend mes fshatrave malorë Mbrezhdan dhe Malëshovë.

Tashmë, Policia është vënë në ndjekje të Roland Milos, baba i dy fëmijëve. Dyshohet se ai ka mundur të kalojë kufirin menjëherë pas ekzekutimit të bashkëpunëtorit të vet, Sokol Rama, ndërsa priten të zbardhen detajet e ngjarjes që çuan në ekzekutimin mafioz. Sipas burimeve, Rama ka qenë pjesë e një prej tri grupeve kriminale që operojnë në Tepelenë dhe që prej kohësh janë nën vëzhgimin dhe survejimin e Policisë.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe kërkimeve të kryera nga ana e Policisë për gjetjen e shtetasit S.R., i cili ishte shpallur në kërkim për ‘Largim nga banesa’, në zonën e Malëshovës, Bashkia Këlcyrë, në vendin e quajtur ‘Përroi i Thellë’, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit S.R. Nga këqyrja paraprake e grupit hetimor dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera”, bëhet e ditur nga Policia.

Nëna: Çfarë më tha djali kur u largua nga banesa

Nëna e Sokol Ramës, Velide Rama, i humbi kontaktet me të birin që mbrëmjen e 4 shkurtit, kur 32-vjeçari u largua herët në mëngjes nga banesa duke thënë se “do të takonte një shok në Përmet”, pa i dhënë më shumë shpjegime. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, e moshuara i telefonoi të birit, por numri i telefonit që ajo kishte, dilte i fikur. Ka qenë pikërisht numri i dytë i telefonit që kishte në përdorim 32-vjeçari, që ndihmoi në lokalizimin e zonës, ku fillimisht u kryen kërkimet e Policisë për gjetjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat