Cakaj – Mogherini: Vendosmëri për të avancuar procesin e integrimit të Shqipërisë

Shqipëria

Cakaj – Mogherini: Vendosmëri për të avancuar procesin e integrimit të Shqipërisë

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 14:36
Gent Cakaj dhe Federica Mogherini

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Ministri Cakaj vlerësoi kontributin e veçantë të Mogherinit për nxitjen e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht rolin e rëndësishëm në mbështetje të perspektivës evropiane të rajonit tonë.

Cakaj rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmin e reformave në mënyrë që të konsolidohen më tej rezultatet e qëndrueshme në agjendën evropiane që do të mundësojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE.

Ai vlerësoi se vendimi për fillimin e negociatave do të japë një impuls të ri jo vetëm për vendin tonë por do të inkurajojë edhe një dinamikë më pozitive në rajon.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi arritjet e deritanishme në pesë prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian, sidomos atë në fushën e drejtësisë.

Mogherini tregoi interes në lidhje me situatën e fundit në Shqipëri dhe theksoi nevojën për pjekuri politike dhe  përgjegjshmëri kombëtare në këtë periudhë kyçe të procesit të integrimit.

Në përfundim të takimit Ministri Cakaj dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini u dakordësuan për të intensifikuar ndërveprimin dhe bashkëpunimin gjatë muajve të mbetur në funksion të arritjes së objektivit prioritar të Shqipërisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat