Bumçi: Lëvizja e fundit paqësore e opozitës, djegia e mandateve

Shqipëria

Bumçi: Lëvizja e fundit paqësore e opozitës, djegia e mandateve

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 00:24
Aldo Bumçi

Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, i cili këtë të enjte hoqi dorë nga funksionet e tij në Kuvend, tha se tashmë opozita është në rrugë dhe lëvizja e saj e fundit paqësore ishte djegia e mandateve.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, në Tv Klan, Bumçi tha se për opozitën “kjo është një rrugë pa kthim”.

“Ne nuk jemi më fasada e Edi Ramës, që këtë vend e ka kthyer në diktaturën e vetme në Europë përveç Bjellorusisë, Rusisë dhe ndonjë vendi tjetër. Rruga është e vendosur, nuk ka kthim prapa. Nuk do të ketë negociata me Edi Ramën.”

Bumçi tha se askush nuk do lëvizje të tilla jashtë sistemit, por sipas tij opozita ishte e detyruar.

“Ne kemi dalë në rrugë, kemi dalë paqësisht, por ne jemi në rrugë dhe kjo është një kambanë e madhe alarmi. Ne jemi në rrugë, lëvizja e fundit paqësore ishte djegia e mandateve. Ne partnerëve u themi ju dëgjuam në vitin 2017, çfarë ndodhi në këtë vend. A u zhvlerësua euro si asnjë herë? A ishin milionat e eurove që blenë një popull të varfër,  a ishte krimi që doli si Avdylajt? Ne nuk kthehemi mbrapsht dhe nuk do të pranojmë standarde demokracie që nuk pranohen as në Maqedoni. Gruevski nuk ka bërë 1 të dhjetën e asaj që ka bërë Edi Rama. Nuk mundet shqiptarët të pranojnë më pak se maqedonasit.”

Përfaqësuesi demokrat tha se aksioni aksioni qeveritar do të vazhdojë me protesta në çdo qytet, por format dhe mënyrat tha se publiku do t’i mësojë së shpejti.

“Protestat tona do të vijojnë të jenë masive në çdo qytet dhe në Tiranë, format dhe mënyrat do i mësoni. Këtej e tutje rruga dhe protesta janë shpëtimi i shqiptarëve dhe jo ai institucion. Nuk është parlamenti tulla dhe llaçi. Nuk janë institucionet tulla dhe llaç, por fryma demokratike. Përveç PD dhe opozitës më thuaj një institucion të pahapur nga opozita. Cila është hapësira e lirisë në këtë shtet përveç opozitës shqiptare. Nëse do të vazhdonim të bënim fasadën ne do të ishim turpi i këtij vendi. Edi Ramës i është dhënë çdo mundësi në 6 vite.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat