Diplomimi i studentëve të Mjekësisë, Manastirliu: Punësim mbi bazë merite

Shqipëria

Diplomimi i studentëve të Mjekësisë, Manastirliu: Punësim mbi bazë merite

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 11:13
Ogerta Manastirliu

”Çdo student ekselent i Universitetit të Mjekësisë apo Infermierisë, hyn në procedura konkurrimi për t’u punësuar në qendra shëndetësore ose spitale publike, me 10 pikë bonus”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të tre fakulteteve të Mjekësisë dhe fakultetit të Infermierisë në Tiranë. Duke vlerësuar se nga zëri i studentëve për një arsim më cilësor, lindi pakti për universitetin, Manastirliu theksoi se do të përmbushen një për një të gjitha angazhimet e marra nga qeveria.

”Puna e nisur nuk do të ndalet derisa të realizohet çdo angazhim, që nga përmirësimi i kushteve në konvikte, tek biblioteka digjiitale, te tarifat e studentëve, transparenca e buxheteve, punësimi i studentëve ekselentë dhe krijimi i mundësive të barabarta për punësim”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se do të garantohet që çdo profesionist, të punësohet me meritë. ”Prej një viti po konsolidojmë portalin Infermierë për Shqipërinë, ndërsa jemi duke punuar për krijimin e portalit Mjekë për Shqipërinë, ku do të bëhen transparente vendet vakante dhe do të ofrohet më shumë mundësi përzgjedhje për mjekët e rinj, për tu punësuar në sistemin shëndetësor publik”, tha në fjalën e saj Manastirliu.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u diplomuan 591 studentë të 3 fakulteteve të mjekësisë dhe 1560 studentë të Infermierisë dhe shkencave mjekësore teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat