Refuzojnë spitalet rajonale? Mjekët e rinj detyrohen të kthejnë 2 mln lekë

Shqipëria

Refuzojnë spitalet rajonale? Mjekët e rinj detyrohen të kthejnë 2 mln lekë

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 15:29
Merita Xhafaj

Mjekët e rinj që nuk pranojnë të ofrojnë shërbim mjekësor në zonat për të cilat kanë lidhur kontratë duhet t’i kthejnë shtetit 2 milionë lekë.

Top Channel ka pasqyruar herë pas here, sesi rolin e mjekut shpesh e luan infermieri, apo sesi mjekë që kanë dalë në pension vijojnë të ofrojnë shërbim mjekësor ndaj qytetarëve, pasi nuk ka mjekë të specializuar.

Së fundi, sapo kanë përfunduar procesin e specializimit 157 mjekë të rinj, 95 prej të cilëve kanë lidhur kontratë, sipas së cilës do të shërbejnë në spitalet ku ka mungesa. Por, nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme, të gjithë mjekët e rinj duan të punojnë në spitalet në Tiranë, në publik apo privat, duke mos respektuar kontratën për të shkuar në zona të largëta.

“Në rast se ata nuk do të pranojnë të shkojnë, apo nuk do të zbatojnë urdhrin e emërimit në detyrë, kanë për detyrim të kthejnë mbrapsht pesëfishin e pagës së marrë. Paralelisht, në 5 vitet në vazhdim nuk mund të aplikojnë në strukturat publike të shëndetësisë”, tha Merita Xhafaj.

Në fakt, një mjek që kërkon të specializohet lidh kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë që në fillim, ku përcaktohet se ai do të shkojë të ofrojë shërbim atje ku do ta caktojë Ministria dhe gjatë viteve të specializimit, ai paguhet nga shteti shqiptar.

“Gjatë periudhës 3 apo 4-vjeçare kanë marrë sipas programit të specializimit, një pagesë prej 80 për qind të pagës së mjekut të familjes. Në një nga nenet e kontratës së lidhur, specializanti është i detyruar të shkojë të punojë në ato spitale rajonale, ku ka mungesa të këtyre profileve”, tha më tej Merita Xhafaj.

Ndërkohë, vetëm 62 mjekë të rinj nuk janë të detyruar të shkojnë atje ku caktohen, pasi e kanë kryer specializimin me kuota të Ministrisë së Mbrojtjes apo asaj të Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat