Kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët për të përfituar pension

Shqipëria

Kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët për të përfituar pension

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 08:45
Prof. Dr. Fadil Kepi

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi.

Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë për emigrantët dhe mënyrën se si ata mund të përfitojnë pension. Profesor Kepi ka sqaruar fillimisht kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojnë emigrantët për të përfituar pension dhe më pas është ndalur në detaje duke sqaruar procedurat. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet e emigrantëve. Cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët, për të përfituar pension? A mund të paguajnë ata kontribute vullnetare të sigurimeve shoqërore?

Kjo është një temë sa aktuale, aq edhe interesante. Legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje emigrantët, njëlloj sikur të jetonin në vendin tonë. Kanë të drejtën që të sigurohen të gjithë ata persona, të cilët janë në emigracion dhe që kanë plotësuar moshën 18 vjeç, pavarësisht nga gjinia, që kanë nënshtetësinë shqiptare ose që kanë dy nënshtetësi. Ata kanë të drejtë që të sigurohen për periudhat e pasiguruara, që nga 1 janari i vitit 1994 deri në ditën që dalin në pension.

Cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët për të dalë në pension?
Si emigrantët, ashtu edhe shtetasit shqiptarë që banojnë në vendin tonë, këtë vit dalin në pension: femrat në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, ndërsa burrat në moshën 65 vjeç. Natyrisht që mosha vërtetohet dhe dokumentohet me anën e kartës së identitetit. Për të përfituar pension pleqërie duhen e pakta 15 vite punë të siguruara deri në ditën kur plotësohet mosha e daljes në pension. Për të përfituar pension të plotë pleqërie, sivjet, pra deri më 31 dhjetor 2019, duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruara, nga mosha 16 vjeç e lart për ata që banojnë në Shqipëri dhe nga mosha 18 vjeç e lart për ata që janë në emigracion.

Sa është vlera që ata duhet të paguajnë për kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore?

Pagesat janë të leverdisshme. Vlera e kontributeve vullnetare të sigurimeve shoqërore aktualisht është 5.616 lekë të rinj në muaj, ose ndryshe, e shumëzuar kjo vlerë me 12 muaj, ëstë 67.000 lekë të rinj në vit.

Pra, emigrantët mund të bëjnë sigurime shoqërore vullnetare?

Po, patjetër.
Si duhet të veprojnë ata për të paguar kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore?
Për periudhat kohore, për të cilat ata dëshirojnë që të sigurohen, vetë ata kur vijnë me pushime në Shqipëri gjatë periudhës së verës, ose edhe kur vijnë për arsye të tjera, kanë të drejtë që të paraqiten në agjencitë e sigurimeve shoqërore pranë vendbanimeve të tyre. Atje, ata do të marrin një urdhër-veprimi. Siç thashë edhe më lart, vlera e pagesës së kontributit vullnetar të sigurimeve shoqërore është 5.616 lekë të rinj në muaj, ose 67.000 lekë të rinj në vit. Por ka edhe një mundësi tjetër, e cila gjithashtu është mjaft e leverdisshme. Nëse personi paguan kontributin vullnetar të sigurimeve shoqëror për vitin pasardhës, pra në vitin 2019 paguan për vitin 2020, nga shuma prej 67.000 lekësh të reja do t’i zbritet një vlerë prej 6%, ose do të paguajë 4.040 lekë të rinj.

Po në rastet kur emigrantët nuk mund të paraqiten personalisht në agjencitë e sigurimeve shoqërore, si duhet të veprojnë?

Në këto raste, mund të paraqitet një i afërm i tyre, me kartën e identitetit të personit të interesuar dhe të paraqesë në mënyrë të saktë se për sa kohë dhe për çfarë periudhe do të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore. Punonjësit e sporteleve të sigurimeve shoqërore do t’i japin një urdhër-veprimi, që është një dokument zyrtar. Pagesat nuk bëhen në sportelet e sigurimeve shoqërore, por në sportelet e bankës. Banka sigurisht që e pajis me një dokument, mandat-pagese, personin që bën pagesën. Kopja e mandatit të pagesës së kryer duhet të ruhet bashkë me librezën e punës dhe të bëhet llogaritja e tyre kur plotësohet mosha e daljes në pension. Por edhe një kopje tjetër të këtij mandati-pagese, banka ia dërgon edhe Sigurimeve Shoqërore.
Flas nga Tirana. Kam qenë i punësuar nga viti 1989 deri në vitin 1994 në një ndërmarrje ndërtimi, në Tiranë. Kam bërë një kërkesë për vitet e punës dhe në përgjigjen që më ka ardhur është shënuar vetëm data e fillimit të punës, ndërsa ajo e përfundimit jo. 

Librezën e punës e kam dhe aty është shënuar edhe data e fillimit, edhe data e përfundimit. Si mund të veproj?

Të tilla raste ka shumë. Ka ndodhur që njerëzit, ashtu si edhe zotëria në këtë rast, kur largohen nga puna, e marrin librezën e punës dhe e fusin në xhep, pa e lexuar. Ky është gabim i madh. Zotëria duhej ta kishte lexuar me kujdes librezën e punës dhe të kontrollonte nëse vitet e tij të punës ishin shënuar saktë. Gjithashtu të gjitha shënimet duhet të jenë me vulën e ndëmarrjes apo të institucionit. Fillimisht zotëria duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës dhe të paraqesë problemin e tij, duke i bërë një kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Specialistët e Sigurimeve Shoqërore do të bëjnë verifikimet e duhura në Arkivin e Sigurimeve Shoqërore që ndodhet në Lundër të Tiranës. Nëse problemi nuk merr përsëri zgjidhje, atëherë rruga e vetme që i mbetet zotërisë është procesi gjyqësor. Me dy dëshmitarë, ai duhet të vërtetojë se ka punuar gjatë periudhës që nuk i njihet.

A kanë të drejtë emigrantët të marrin pension në vendin tonë edhe në rastin kur ata nuk jetojnë këtu?

Po. Një emigrant ka të drejtë të marrë pension edhe në vendin tonë sepse Ligji i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje. Por, nga ana tjetër, edhe në vendin ku emigranti punon, ka të drejtë që të marrë pension sipas ligjislacionit të atij vendi. P.sh. Shqipëria nuk ka ende një marrëveshje me Italinë për unifikimin e pensioneve, por një shqiptar, i cili ka punuar ose punon në Itali dhe ka plotësuar periudhën prej 20 vitesh punë të siguruar që parashikon legjislacioni italian, ka të drejtën që të marrë pension në këtë vend. Por, gjithashtu, ai merr edhe pension në Shqipëri nëse ka punuar 15 vite e më shumë dhe ka qenë i siguruar. Pra, merr dy pensione. Po kështu edhe në Greqi e në vende të tjera, ku jetojnë e punojnë emigrantë shqiptarë.

Në rast se një emigrant ka p.sh. 14 vite punë në Shqipëri, si duhet të veprojë për të marrë pension?

Minimumi i domosdoshëm për të marrë pension në Shqipëri është 15 vite punë të siguruara. Por duhet që këto 15 vite personi të ketë punuar përpara se të plotësojë moshën e pensionit. Vite punë në Shqipëri, pavarësisht nga gjinia, quhen vitet e punës që nga mosha 16 vjeç e lart. Prandaj u këshilloj të gjithë të interesuarve, që përpara se të mbushin moshën e daljes në pension, të kontrollojnë edhe një herë librezën e tyre të punës dhe vitet e punës që kanë të shënuara aty. Çdo sqarim apo plotësim bëhet para mbushjes së moshës së plotë për pension. P.sh. kur personi ka 14 vite punë, atëherë ai shumë mirë paguan për një vit apo edhe për më shumë, se kjo varet nga dëshira dhe nga mundësitë financiare, kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore dhe kështu përfiton pension.

A ka ndonjë pengesë apo ndonjë problem tjetër me të cilin përballen emigrantët, kur duaan të përfitojnë pension në vendin tonë?

Për emigrantët paraqitet edhe një problem tjetër, që është pensioni social. Pensioni social në vendin tonë përfitohet personi mbush moshën 70 vjeç. Për të përfituar pensionin social duhet që të plotësohen dy kushte: së pari, duhet që personi të ketë mbushur moshën 70 vjeç, pavarësisht nga gjinia; dhe së dyti, duhet të ketë jetuar në Shqipëri, pra në vendin e tij, gjatë pesë viteve të fundit, përpara se të mbushë moshën 70 vjeç, pra nga mosha 65 vjeç deri në ditën kur mbush 70 vjeç. Duhet të jetë banor i përhershëm në Shqipëri gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Kjo duhet të vërtetohet me dokumente zyrtare. Ta zëmë se një person është në emigracion dhe plotëson moshën 70 vjeç dhe gjatë pesë viteve të fundit ka jetuar dhe ka punuar në emigracion, jashtë Shqipërisë. Në këtë rast, personi nuk përfiton pension social në vendin tonë, sepse plotëson kushtin e moshës 70 vjeç, por nuk plotëson kushtin e banimit të përhershëm në vendin tonë gjatë pesë viteve të fundit, përpara mbushjes së moshës 70 vjeç. Pensioni social përfitohet nga ata persona që plotësojnë këto dy kushte që thamë më lart dhe që nuk kanë sasinë e duhur të viteve të punës që kërkohen për pension pleqërie, pra kanë më pak se 15 vite punë të siguruar ose nuk kanë punuar fare. Gjithashtu, femrat që punojnë jashtë Shqipërisë, por që paguajnë kontribute vullnetare të sigurimeve shoqërore në vendin tonë, nuk e përfitojnë lejen e lindjes, sepse kushti është që ato duhet të kenë punuar në Shqipëri të paktën një vit, të siguruara, dhe gjatë periudhës së shtatzanisë duhet të kenë një muaj punë të siguruar. E marrin lejen e lindjes në vendet ku jetojnë e punojnë, sipas legjislacionit përkatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat