Kërkesa për shkarkimin e Arta Markut, ja çfarë ndodhi në mbledhjen e KLP. Vendosi për…

Shqipëria

Kërkesa për shkarkimin e Arta Markut, ja çfarë ndodhi në mbledhjen e KLP. Vendosi për…

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 08:53
Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli veten jokompetent për të shqyrtuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike për shkarkimin e Prokurores së përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku.

Kujtojmë se opozita dërgoi shkresën me kërkesë shkarkimin e Markut, pas publikimit të dokumenteve që një prej anëtarëve të KLP-së, Bujar Sheshi, ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas ligjit, një verifikim të tillë duhet ta kishte bërë institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa vetë Sheshi e ka mohuar, duke e konsideruar sulm politik.

Gjatë mbledhjes së djeshme, anëtarët e Këshillit diskutuan shkresën e dërguar disa javë më parë nga opozita, ndërsa në fund iu delegua kryetarit të Këshillit, Gent Ibrahimit, për të kthyer një përgjigje zyrtare, gjë që do ta bëjë ditën e sotme. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsideron se nuk është në kompetencën e tij të përgjigjet për shkresën për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm”, njoftoi KLP-ja.

Ndërkohë, një nga arsyetimet e bëra në mbledhje nga anëtarët ishte edhe fakti se shkresa ka natyrë administrative dhe për këtë është jashtë kompetencave të KLP-së. Megjithatë, një tjetër interpretim i bërë gjatë seancës në lidhje me shqyrtimin ngarkonte Komisionin e Disiplinës për kthimin e përgjigjes. Në lidhje me debatin për kompetencën gjatë ditës së sotme do të japë një përgjigje zyrtare vetë drejtuesi i Këshillit, Ibrahimi, ndërkohë që pritet të përcaktohet edhe institucioni që e ka këtë kompetencë, ndërsa me shumë gjasë do të jetë Kuvendi.

RASTI SHESHI

Rreth 3 javë më parë, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, ishte kryefjala e diskutimeve në opinionin publik, kjo pasi opozita publikoi vendimin e Autoritetit të Dosjeve, që e ka konsideruar Sheshin si bashkëpunëtor të ish- Sigurimit. Një nga kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë pjesë e KLP-së është edhe vërtetimi se kandidati nuk duhet të ketë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe këtë verifikim duhet ta kishte bërë Prokuroria e Përgjithshme.

Kjo e fundit e konsideroi kandidaturën e Sheshit si të rregullt, ndërsa ende nuk ishte dorëzuar përgjigjja e Autoritetit të Dosjeve. Çështja tashmë është në Prokurorinë e Tiranës, që ka nisur verifikimet, ndërsa është duke shqyrtuar edhe padinë e vetë prokurorit ndaj Autoritetit të Dosjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat