Shqipëria rrezikon të arrijë më pak se 2.6 milionë banorë më 2031

Shqipëria

Shqipëria rrezikon të arrijë më pak se 2.6 milionë banorë më 2031

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 14:27
Foto

Projeksionet reja të popullsisë për periudhën 2019-2031 të publikuara sot nga INSTAT rezultojnë më të përkeqësuara se pritjet aktuale (që ishin për periudhën 2011-2031).

Sipas publikimit të sotshëm të INSTAT popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet të jetë 2.745.996 banorë sipas projeksioneve normale dhe më pak se 2.6 milionë banorë sipas skenarit pesimist. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031.

INSTAT vë në dukje se, ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave më të ulta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve e cila nuk përkon me hipotezën e projeksioneve të popullsisë 2011 – 2031.

Rritja me ritme të ngaldalta e ISF, shoqëruar nga hyrja në moshë riprodhimi e brezave të grave më të pakët në numër se ato aktual, do të bëjë që numri i lindjeve të mos pësojë ndryshime domethënëse gjatë periudhës 2019 – 2031.

Në të njëjtën kohë numri i vdekjeve do të vazhdojë të rritet, si pasojë e një popullsie më të madhe në moshë të vjetër. Këto dy ndryshime do të sjellin edhe rënien e shtesës natyrore deri në rreth 3,2 mijë në 2031.

Gjatë periudhës 2011 – 2018, normat e emigrimit të burrave rezultuan të ishin më të larta se ato që u supozuan në projeksionet e mëparshme. Ndërsa për gratë rezultoi e kundërta, normat e emigrimit ishin disa herë më të ulta se ato të supozuara më parë.

Këto ndryshime në sjelljet migratore, kanë sjellë edhe ndryshimin e strukturës gjinore të popullsisë.

Në vitin 2011, Shqipëria ishte një vend ku kishte më shumë burra se sa gra. Kjo tashmë ka ndryshuar në vitin 2019, pasi në Shqipëri raporti gjinor qëndron në 99,8 burra për çdo 100 gra.

Sipas projeksioneve të përditësuara, raporti gjinor pritet të thellohet në favor të grave duke arritur deri në 89,1 burra për çdo 100 gra.

Popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha medianë e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031.

Ky proces i plakjes shoqërohet me rritjen e shpejtë të koefiçientit të varësisë së të moshuarve nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35,0 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune.

Gjatë kësaj periudhe koefiçienti i varësisë së të rinjve do të qëndrojë në nivele konstante prej rreth 25,0 të rinj për çdo 100 persona në moshë pune.

Ndryshimet demografike që pritet të kalojë popullsia e Shqipërisë deri në vitin 2031 do të kenë ndikimin e tyre edhe në shpërndarjen e saj ndërmjet qarqeve të vendit.

Deri në vitin 2031, vetëm popullsia e qarkut të Tiranës pritet të jetë më e lartë se ajo e vitit 2019, duke arritur në rreth 954 mijë banorë. Në vitin 2031, në qarkun e Tiranës pritet të banojë rreth 35 % e popullsisë së Shqipërisë. Qarqet me popullsinë më të ulët do të vazhdojnë të jenë qarqet e Gjirokastrës dhe Kukësit, respektivisht me rreth 53 mijë dhe 60 mijë banorë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat