Majko: Rama dhe Basha të ulen jo për pazar, por për zgjidhjen e krizës

Shqipëria

Majko: Rama dhe Basha të ulen jo për pazar, por për zgjidhjen e krizës

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 16:50
Pandeli Majko

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi sot se Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të ulen jo për të bërë pazar, por për të nxjerrë Shqipërinë nga një qerthull.

Ai këto komente i bëri në studion e emisionit “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja.

“Në fund fare dikush do të humbasë, por ndonjëherë në politikë humb duke fituar dhe fiton duke humbur”, deklaroi Majko.

Duke iu referuar aktualitetit politik, Majko theksoi se precedenti që po vendos opozita është i rrezikshëm.

“Çfarë precedenti po hap Shqipëria? Nëse kemi këtë precedent që opozita nuk hyn në zgjedhje për X kryeministër, kthehet në model pastaj. Opozita duhet të pyesë veten se çfarë ndodh pas kësaj. Ja e morën pushtetin. Pas 6 muajsh dorëzojmë ne mandatet dhe themi nuk e duam këtë kryeministër. Mendoj se jemi klasë politike që po mbyll ciklin e vet dhe është e sigurt që në zgjedhjet që vijnë dikush do të lërë jo vetëm karrigen e politikës. Prandaj është ky polarizim në këtë moment”, tha ministri Majko.

Kur u pyet nëse ka premisa për konflikt social, Majko deklaroi se “këtë e ndajnë njerëzit”, por, sipas tij, “konflikti civil kërkon më shumë sesa 10 mijë njerëz”.

“Në fund të fundit të gjithë kemi fëmijë e mbesa dhe ky është vend ku do të jetojmë të dyja palët. Duhen menduar punët me gjakftohtësi”, tha ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat