Koncesioni i karburanteve, në gjykatë – Kompania kundër vendimit të KPP-së

Shqipëria

Koncesioni i karburanteve, në gjykatë – Kompania kundër vendimit të KPP-së

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:02
Foto

Kompania ndërkombëtare Penzoil Trading SA do të ankimojë në Gjykatën Administrative vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik për koncesionin e kolaudimit të pompave të karburanteve.  Në muajin shtator të vitit 2018, kjo kompani depozitoi një ankesë pranë Komisionit, në lidhje me kushtet dhe kërkesat  që duhet të plotësonin kompanitë pjesëmarrëse në garën e shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke i konsideruar si diskriminuese, kryesisht për kompanitë ndërkombëtare. Por, pasi tejkaloi çdo afat ligjor, pas një periudhe 4-mujore Komisioni i Prokurimit Publik rrëzoi ankesën e këtij operatori, duke i dhënë të drejtën Ministrisë të vazhdonte me shpalljen e garës për këtë koncesion.

Megjithatë, në një reagim për TV SCAN kompania thotë se vendimi i KPP nuk bazohet në argument ligjore të vlefshme dhe bindëse. “Penzoil Trading S.A. ka shqyrtuar me kujdes arsyetimet e komisionit dhe ka vendosur të vazhdojë të kundërshtojë këto masa para Gjykatës kompetente administrative. Motivimi i vendimit për të proceduar me ankesën është bërë si pasojë e vlerësimit të avokatëve tanë dhe konsulentëve, të cilët konsiderojnë se vendimi i komisionit ka mungesë të arsyeve ligjore të vlefshme dhe bindëse. Për këtë arsye ne kemi vendosur të vazhdojmë me veprimet tona ligjore, me besim të plotë në drejtësi”,-thotë kompania në reagimin e saj.

Dhënia me koncesion e shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve është kritikuar edhe nga ekspertë si dhe nga operatorët e karburanteve në treg. Kreu i shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj që përfaqëson këta të fundit ka deklaruar për SCAN se kostot që mund të vijnë nga rritja e tarifave për këtë shërbim do të transferohen në çmimin e karburantit, ndërkohë që në kriteret e garës, Ministria nuk vendos asnjë kufi për tarifat që do të aplikojë koncesionari, duke iu lënë atyre dorë të lirë. Nga ana tjetër, ekspertë të fushës argumentuan se kjo mund të sjellë edhe dëmtim të konkurrencës në treg, duke mos përjashtuar marrëveshjet pjesore mes koncesionarit dhe operatorëve të karburanteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat