Vendimi i ri i qeverisë, Balluku: Nuk do të ketë më mjete të 2004 të targuara

Shqipëria

Vendimi i ri i qeverisë, Balluku: Nuk do të ketë më mjete të 2004 të targuara

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:06
Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një inspektim në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Berat ku u njoh me kushtet dhe cilësinë e shërbimeve që kjo drejtori ju ofron qytetarëve. Ministrja Balluku theksoi se me vendimin e miratuar dje në Këshillin e Ministrave nuk do të ketë më mjete të targuara të viti 2004, pasi standardi që do të ndiqet do të jetë ai i emetimit Euro 4, i cili përfshin automjetet nga viti 2005 e në vijim.

“Me VKM-në e re nuk do të ketë më mjete të 2004 të targuara apo të 2003, pasi standardi që këtu e tutje do të jetë standardi i emetimit Euro 4, i cili përfshin nga viti 2005 e tutje. Sigurisht ky është një ndryshim i fundit që erdhi në VKM-në 633 për shkak edhe të kërkesës së qytetarëve. Është rishikuar, por ndërkohë është zbatuar standardi europian i 2004, duke respektuar edhe ambientin pasi edhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Ministrja kërkoi nga punonjësit e DRSHTRR që të informojnë qytetarët të cilët paraqiten pranë zyrave të tyre se tashmë është shtyrë deri në 31 dhjetor afati i hyrjes në fuqi në VKM-së. “Ajo çfarë ju duhet ti shpjegoni të gjithë qytetarëve që vijnë këtu është që është shtyrë edhe afati i hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je, pra deri në 31 dhjetor, duke qenë se ka qenë një shqetësim shumë i madh i të gjithë qytetarëve afati shkurtër, sigurisht edhe i tregtarëve, por ajo që ne na intereson më tepër dhe vëmendja sigurisht është tek çfarë qytetarët kërkojnë”, theksoi Balluku.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratuan disa ndryshime në vendimin sa i takon masave kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike.  Ndryshimet parashikojnë që afati i hyrjes në fuqi të VKM-së të shtyhet me 10 muaj, deri në 31 dhjetor të 2019, zhdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018, si dhe automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Shqipërisë pas 1 janarit 2019 duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar edhe tabelat ku përcaktohen kushtet teknike që duhet të përmbushin automjetet të cilat do të lejohen të importohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat