“Washington Post”: Ligjvënësit e PE-së dënojnë fuqimisht dorëheqjen e opozitës

Shqipëria

“Washington Post”: Ligjvënësit e PE-së dënojnë fuqimisht dorëheqjen e opozitës

Më: 1 mars 2019 Në ora: 10:32
Konferenca

Një grup ligjvënësish të Parlamentit Europian dënuan dje fuqimisht dorëheqjen e opozitës shqiptare nga parlamenti dhe dhunën gjatë protestave të kohëve të fundit, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post”.

Delegacioni i Parlamentit Europian, i cili vizitoi Shqipërinë, gjithashtu i bëri thirrje shumicës qeverisëse të fillonte bisedimet me opozitën për të zgjidhur krizën politike.

“Bojkotimi i përfaqësimit të popullit në parlament është një sinjal shumë i keq. Kjo do të minojë kredibilitetin e shtetit dhe të kombit në tërësi”, tha Tunne Kelam nga Estonia, kreu i delegacionit.

Shqipërisë, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, iu dha statusi i kandidatit të BE në vitin 2014, ndërkohë që ajo shpreson të nisë negociatat e anëtarësimit në qershor.

Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike, e qendrës së djathtë, pretendon se qeveria e majtë e kryeministrit Edi Rama është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin e organizuar.

Ata duan që një administratë kujdestare për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme.

“Edhe nëse opozita ka plotësisht e drejtë për akuzat, bojkotimi i parlamentit nuk do t’i zgjidhë problemet e tyre”, tha Knut Fleckenstein, anëtari gjerman i delegacionit.

Duke udhëtuar në një qytet verior, drejtuesi i demokratëve, Lulzim Basha, nuk dukej i gatshëm që t’u kushtonte vëmendje thirrjeve të delegacionit.

Ai tha se opozita do të “ndërthurte protestat me mosbindje civile dhe me të gjitha aktet e tjera të revoltës dhe zemërimit civil”.

Protestat e opozitës në dy javët e fundit u shndërruan në të dhunshme, me përkrahësit që sulmuan policinë, që u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Disa protestues dhe policë u plagosën.

Delegacioni i BE do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu po kërkon të nisë negociatat e anëtarësimit këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat