Biznesi, bie kredia e re – 12% më pak për janarin

Shqipëria

Biznesi, bie kredia e re – 12% më pak për janarin

Më: 2 mars 2019 Në ora: 21:02
Foto

Kredia e re për biznesin e nisi në rënie edhe vitin 2019. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit janar sistemi bankar dha 12.8 miliardë lekë kredi, në rënie me 12% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Megjithëse si tepricë portofoli i kredisë u rrit gjatë janarit, shifrat tregojnë se huadhënia e re ngelet e dobët. Gjatë janarit rënie pësoi kreditimi në sektorin më të rëndësishëm, atë të tregtisë, me 1.8 miliardë lekë më pak krahasuar me një vit më parë. Kredia e re për tregtinë zinte afërsisht 55% të kredisë së re për biznesin. Ndërkohë, rritje të lehtë regjistroi kredia për ndërtimin dhe industrinë përpunuese.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, portofoli i kredisë për biznesin u tkurr me 12 miliardë lekë. Megjithatë, bankierët nuk mendojnë se gjendja e kreditimit të biznesit duhet parë me pesimizëm. Sipas tyre, ecuria e huadhënies thjesht është normalizuar dhe po mbështet në një qasje më realiste, pas euforisë së viteve të parakrizës. Brenda kredisë për biznesin, shifrat tregojnë gjithashtu një tendencë për zhvendosje të huadhënies drejt afateve më të gjata të maturimit.

Një nga arsyet pse kjo ndodh është fakti që bankat janë përpjekur t’i ristrukturojnë disa overdrafte, duke zgjatur afatin e maturimit, për t’iu lehtësuar bizneseve shlyerjen e tyre. Gjithashtu, kjo e bën vlerën e portofolit të kredisë më të qëndrueshme në kohë, sepse kreditë maturohen në interval më të gjata kohore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat