Anëtari i PD-së: Nëse përjashtoni Rudina Hajdarin, largohem nga partia...Ajo nuk është vetëm, pisa!

Shqipëria

Anëtari i PD-së: Nëse përjashtoni Rudina Hajdarin, largohem nga partia...Ajo nuk është vetëm, pisa!

Më: 4 mars 2019 Në ora: 20:03
Rudina Hajdari

I quan të turpshme sulmet që po i bëhen deputetes së Partisë Demokratike Rudina Hajdari, nga vetë partia e saj. 

Ish-kryetari i PD-së në Gjirokastër, tashmë anëtar i kësaj partie, Roland Bejko, thekson faktin se bija e kujt shtë Rudina, që njëjtë si i ati, Azem Hajdari, edhe ajo nuk i bindet urdhrave të partisë, kur bindja dhe instikti i thonë se shumica e ka gabim. Rudina Hajdari ka refuzuar të heqë dorë nga mandati i deputetit, duke dalë kundër vendimit në bllok të grupit të PD-së. 'Kërcënimi' për ta përjashtuar atë nga partia sipas Bejkos bie ndesh me lirinë e mendimit ndryshe që personifikon Partia Demokratike. Bejko i del në krah Hajdarit kur i thotë se ajo nuk është vetëm.

"Të gjitha hienat duhet ti rinë larg Rudina Hajdarit. Mos t'ju gënjejë mendja. Ajo nuk është vetëm. Pisa!. Rregulli në parti nuk sigurohet nëpërmjet kërcënimit se po nuk mu binde të përjashtoj. Disiplinën në parti nuk mund ta sigurojnë as piranjat që sulmojn nëpër rrjetet sociale me fyerje e shpifje këdo që nuk mendon si ata. Dhe në këtë kuadër i gjej të padrejta sulmet politike, anatemimet dhe letrat publike që i adresohen zj. Rudina Hajdari duke i bërë thirrje që të dorëzojë mandatin. Rudinës po i kërkohet të bëjë atë që bënte dhe Ati i saj. Pikërisht atë është duke bërë edhe ajo. Po mendohet dhe do vendosë vet. E lirë. Me ndërgjegje. Ashtu si në gjallje babai i saj. Në mënyrë atipike. Ndoshta edhe përkundër vendimit të shumicës. Sepse ajo është vajza e Azem Hajdarit dhe lirinë e ka në ADN", - shkruan Bejko në një reagim në Facebook.
Bejko thotë se ai personalisht e mbështet vendimin e PD-së për djegien e mandateve, por thotë se nëse Rudina Hajdari vendos të mos dorëhiqet, dhe PD më tej e përjashton nga partia, atëherë ai deklaron se nuk do të jetë më anëtar i PD-së.
"Për hir të asaj se mos më mërzitet kryetari apo turmat e inatosura, unë nuk do pranoj të jem hija e vetvetes, pra hija e studentit të Dhjetorit 90", përfundon anëtari i PD-së.  
Shkrimi i plote nga Roland Bejko

Boll me sulme ndaj Rudina Hajdarit, ato janë të turpshme. Nuk ju nderojnë.=======================
Rudina është e bija e Azem Hajdarit, e atij lideri të fortë që frymëzimin për aktet e mëdha politike e merte nga liria.
Azem Hajdari ishte një figurë atipike në politikën shqiptare që nga dita e parë e deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ai nuk dinte të lëpihej, të zvaritej, të servilosej për tu ngjitur në karrierë. Ai nuk ishte konformist Ai refuzonte të mendonte me mendjen e të tjerëve, por mendonte, gjykonte e vendoste me mendien dhe zemrën e tij. Ai nuk ishte dele në tufën e madhe, ku urtësisht e paqësisht mund të hidhej në humnerë me urdhërin e parë të të parit të kopesë, por ishte i tillë që vihej vet në krye të tufës dhe shpesh e shpëtonte atë nga rrëzimi në honet e thella të politikës.
Azemi ishte i pabindur ndaj urdhrave dhe vendimeve të partisë kur bindja, llogjika, arsyeja apo edhe instikti i thoshte se shumica e kishte gabim.

Prandaj edhe raportet e tij me lidershipin e PD-së dhe drejtuesit e qeverisë së saj ishin shpesh të tendosura.

Azemin e përjashtuan nga grupi parlamentar i PD-së pikërisht sepse nuk mendonte e nuk vepronte si grupi. Azemin e larguan nga kryesia e PD-së. Por ama nuk më kujtohet që ta kenë përjashtuar nga partia. (Mbase e kam gabim, por i pari dhe i vetmi i pëjashtuar nga partia është Myslim Murizi, sot 28 vite pas rënies së asaj partie që përjashtimin e kuadrove të vet e kishte mënyrë mbijetese.
Pastaj dihet. Azemin e vranë. Dhe ne që ndiheshim të bezdisur prej protagonizmit në gjallje të tij, në vdekje e bëmë hero. E shpallëm hero dhe me emrin e tij në gojë u nisëm përpara për të frymëzuar njerëz e për të fituar beteja. E shpallëm hero dhe i bëmë monumente dhe ishte hera e parë që u treguam të drejtë me të. I dhamë atë që meritonte; Piedestalin e tribunit të demokracisë.
Tani lipset që ta respektojmë dhe ta lemë të qetë aty ku është në parajsën dhe qetësinë e botës së amshuar.
Secilit nga ne, nëse i cënohet më e shtrenjta gjë, fëmija i tij, nuk të fal. Nuk jemi më delet e urta të kullarisura e të parfumosura. Kur dikush guxon të na prekë, fyejë apo bullizojë fëmijët tanë, e flakim kostumin dhe etikën e të paqmit dhe nxjerrim macen, ujkun, tigrin, luanin apo çfarë të doni, që është në gjumë brenda nesh.

Kjo është arsyeja njerëzore se përse të gjitha hienat duhet ti rinë larg Rudina Hajdarit. Mos t'ju gënjejë mendja. Ajo nuk është vetëm. Pisa !

Tani të kthehemi te arsyeja politike.

Kur ne e themeluam PD në dhjetor të '90, ishim të bindur se po krijonim një parti ku si fe të saj do të kishte LIRINË dhe jo DISIPLINËN.
Partia që mbijetonte me DISIPLINË si armike e egër e LIRISË ishte ajo tjetra, partia e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, pra PPSH. Ishte ajo parti që kishte vrarë, izoluar e varfërusr për 45 vjet shqiptarët.
PD në kohën që është drejtuar nga Sali Berisha është e vërtetë që nuk ka qenë në ditët e saj më të mira në raport me demokracinë e saj të brendshme, ju ka ngushtuar hapësirat e veprimit dhe ligjërimit politik zërave ndryshe dhe i ka detyruar të largoheshin, por nuk më kujtohet që të ketë shkuar deri në përjashtim të drejtuesve të saj nga partia. Kryetari i PD z. Lulzim Basha, nisur nga profili i tij prej perëndimori ishte shpresë e madhe e demokratëve dhe e shqiptarëve se minimalisht do ta demokratizonte dhe modernizonte partinë nën frymën e principeve të Lirisë dhe jo të Disiplinës. E do mjaftonte kjo që të mbahej mend gjatë në historinë e politikës shqiptare. Ai vet ka deklaruar publikisht më shumë se një një herë se sa të jetë ai në krye të partisë nuk do ketë përjashtime nga kjo parti.Është ende në kohë të mos ndikohet në vendimarrje nga eremitë që vijnë nga bota e erët e nëntokës politike..
Është e vërtetë gjithashtu që partia ka nevojë për rregull dhe respektim rregullash për mirëfunksionimin e saj. Por bota perëndimore e ka zgjidhur këtë moment delikat nëpërmjet transparencës në vendimarje, debatit në forume, dialogut, kulokut etj, dhe jo vendimarrjes individuale, të çastit, pa kuvendim. Të tilla praktika në vendimarrje janë atoritare dhe rrezikojnë të prishin kohezionin në parti. Çorienton dhe fyen inteligjencën e gjithsekujt nga personalitet më të mira që ke zgjedhur në forumet më të larta të partisë sado i drejtë të jetë vendimi i marë. Në demokraci partia nuk është e kryetarit, por kryetari është i partisë. Rregulli në parti nuk sigurohet nëpërmjet kërcënimit se po nuk mu binde të përjashtoj. Kjo praktikë mund të sigurojë një rregull të përkohshëm, një qetësi të reme.Më vonë shpërthen dhe të kthehet në bumerang. Disiplinën në parti nuk mund ta sigurojnë as piranjat që sulmojn nëpër rrjetet sociale me fyerje e shpifje këdo që nuk mendon si ata.

Dhe në këtë kuadër i gjej të padrejta sulmet politike, anatemimet dhe letrat publike që i adresohen zj. Rudina Hajdari duke i bërë thirrje që të dorëzojë mandatin. ( oh sa të shpifura janë këto letra. Sa të tilla na ka adresuar dynjaja në 1990-1991, atëherë që po i dilnim kundër partisë së punës që falë saj po shkolloheshim dhe ishim të lumtur dhe që na jepte dhe ajrin që thithnim)Natyrisht, mirë apo keq, u mor si u mor vendimi për dorëzimin e mandatit të deputetit është detyrim statutor, por edhe moral ti bindesh vendimit të shumocës.

Por ama kërcënimi me përjashtim nga partia, është një kërcënim komunist. Në statut janë të parashikuara masat disiplinore në parim, por askund nuk thuhet shprehimisht se në këtë rast përjashtohesh nga partia. Por edhe nëse ky artific do ishte sanksionuar në statut, jo vetëm që nuk duhet aplikuar në asnjë rast, por ai duhej fshirë një sekond e më parë nga faqja e statutit sepse bie në kundërshtim me principin e lirisë.

Në këto çaste e bija e Azem Hajdarit nuk po bën as më shumë as më pak veçse po respekton vetveten, mendimin dhe gjykimin e saj. Ajo është një qenie politike që ka të drejtë të mendojë, të analizojë, të gjykojë dhe të vendosë vet çfarë do të bëjë me mandatin e deputetit. Është në të drejtën e saj. Është në lirinë e saj.

Rudinës po i kërkohet të bëjë atë që bënte dhe Ati i saj. Pikërisht atë është duke bërë edhe ajo. Po mendohet dhe do vendosë vet. E lirë. Me ndërgjegje. Ashtu si në gjallje babai i saj. Në mënyrë atipike. Ndoshta edhe përkundër vendimit të shumicës. Sepse ajo është vajza e Azem Hajdarit dhe lirinë e ka në adn.

Unë uroj që vendimi i Rudinës të jetë si vendimi i shumicës. Por edhe po nuk ishte i tillë, do të ishte një turp i madh nëse Partia Demokratike do të përjashtonte nga rradhët e saj të bijën e themeluesit, heroit dhe tribunit të demokracisë shqiptare.

Unë vet jam në mbështetje të vendimit të PD sepse e shikoj si të vetmen mundësi të rënimit nga themelet të këtij rregjimi antidemokratik që po sundon shqiptarët. Por, nëse Lulzim Basha largon nga PD të bijën e Azem Hajdarit, unë deklaroj sot se nuk do të jem më anëtar i Partisë Demokratike për aq kohë sa kjo parti parimin e saj fondamental LIRINË, ta ketë zëvendësuar me DISIPLINËN, me këtë parim që është në genin e partive që pjellin diktatorë dhe diktatura.Pra, për hir të asaj se mos më mërzitet kryetari apo turmat e inatosura, unë nuk do pranoj të jem hija e vetvetes, pra hija e studentit të Dhjetorit 90. 

Dhe siç thoshte Azvi Nelaj në poezinë e tij përpara se regjimi komunist me DISIPLINËN e tij të diktaturës së proletariatit ti merrte jetën,, "JETA DHE VDEKJA MERITOHEN" !Krimbat që zvariten rrezikohen të shkelen nga këpuca e të parit që kalon aty pari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat