7 marsi, Xhaçka uron pedagogët në uniformë: Akademia, meritë për ndërtimin e FA

Shqipëria

7 marsi, Xhaçka uron pedagogët në uniformë: Akademia, meritë për ndërtimin e FA

Më: 7 mars 2019 Në ora: 14:41
Olta Xhaçka

Dhjetëra pedagogë e mësues që shërbejnë në institucionet arsimore të Forcave të Armatosura, festuan 7 marsin bashkë me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një aktivitet në mjediset e garnizonit “Skënderbej”. Ministrja e Mbrojtjes vlerësoi kontributin ndër vite të Akademisë së FA në përgatitjen e mbi 8 mijë oficerëve që ndërtuan Forcat e Armatosura.

“Sot, çdo student që diplomohet nga kjo akademi është oficer jo thjesht i FA të Republikës së Shqipërisë, por edhe i Forcave të Armatosura të aleancës më të madhe dhe më profesionale që ka njohur historia, atë të NATO-s. Dhe besoj se s’ka vlerësim më të madh për punën tuaj sesa fakti që ushtarakët që kanë kaluar nga kjo akademi ia kanë dalë të na përfaqësojnë shumë denjësisht, duke na nderuar ne dhe vendin, në komandat dhe misionet e NATO-s”, iu drejtua ministrja e Mbrojtjes pedagogëve të Akademisë.

Duke sjellë në vëmendje përcjelljen pak ditë më parë të rekrutëve të rinj në Shkollën e Trupës në Bunavi, ministrja Xhaçka theksoi mundësitë që i ofrohen çdo të riu për të bërë karrierë brenda Forcave të Armatosura. “Historia është plot me raste forcash të armatosura ku janë shpenzuar para pafund për pajisje për armatime, por nuk është investuar tek njerëzit, nuk është investuar tek talenti, tek profesionalizmi, tek fryma dhe tek meritokracia. Dhe padiskutim FA-të janë mbi të gjitha djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë që zgjedhin t’i kushtojnë jetën e tyre ushtrisë’. Ndaj ndërtimi i Forcave të Armatosura të denja për një vend anëtar të NATO-s, s’ka nga të fillojë tjetër, por veç se nga kjo akademi, s’ka nga të fillojë tjetër, por veçse nga ju dhe puna juaj e palodhur”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Në aktivitetin ku morën pjesë edhe zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, general brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Bajram Begaj, ministrja Xhaçka përgëzoi pedagogët për punën, duke u kujtoi atyre, peshën e rëndë të përgjegjësisë në misionin që kanë marrë përsipër. Në Forcat e Armatosura shërbejnë dhjetëra pedagogë që japin mësim në Akademinë e FA, Akademinë e Nënoficerëve, Qendrën e Gjuhëve të Huaja dhe Shkollën e Trupës në Bunavi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat