Porositë e Bashës: Nga sot, fokusi i opozitës tek organizimi i protestës

Shqipëria

Porositë e Bashës: Nga sot, fokusi i opozitës tek organizimi i protestës

Më: 11 mars 2019 Në ora: 09:46
Lulzim Basha

Nga kjo e hënë, i gjithë fokusi i opozitës do të jetë tek organizimi i protestës, që do të zhvillohet të shtunën përpara Kryeministrisë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, thirri dje në selinë blu Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë e PD-së dhe ish-deputetët e grupit parlamentar për të diskutuar mbi strategjinë e organizimit të protestës kombëtare të 16 marsit. Burimet bëjnë të ditur se kërkesa e Bashës ka qenë për një pjesëmarrje masive në protestë dhe për një tejkalim të protestës së zhvilluar një muaj më parë, më 16 shkurt.

Kryetari i opozitës ka udhëzuar krerët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe ishdeputetët të intensifikojnë kontaktet me bazën dhe të mbajnë gjallë pakënaqësinë gjithnjë e në rritje kundër qeverisë. Në takimet e zhvilluara, Basha ka kujtuar se largimi i Kryeministrit Rama është një emergjencë kombëtare, ndaj edhe është kërkuar mobilizim maksimal.

“Më 16 shkurt kemi zhvilluar protestën më të madhe në Shqipëri pas vitit 1991, të thirrur nga një parti politike. Ajo që duhet të bëjmë ne këtë javë, është që të intensifikojmë takimet dhe kontaktet me qytetarët. Duhet që të mbajmë gjallë frymën antiqeveri, që prej kohësh ekziston në çdo qytet të vendit. Pjesëmarrja në protestën e 16 marsit duhet të jetë më e madhe dhe të tejkalojë protestën e 16 shkurtit. Largimi i Edi Ramës është një emergjencë kombëtare dhe për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka në funksion të aksionit politik dhe protestave. Në vend nuk ka normalitet, për Ramën asnjë minutë qetësi”, mësohet të jetë shprehur Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat