Rritet papunësia në Shqipëri

Shqipëria

Rritet papunësia në Shqipëri

Më: 11 mars 2019 Në ora: 20:54
Foto ilustruese

Instituti i Statistikave raportoi se, në fund të 2018-s, shkalla zyrtare e papunësisë arriti në 12.3 për qind, nga 12.2 për qind që ishte një tremujor më parë.

Ky është tremujori i parë në 3 vite që shkalla e papunësisë shënon rritje, pasi nga fundi i vitit 2015 ky tregues ka ardhur vazhdimisht në rënie. Por, çfarë ka ndodhur në tregun e punës? Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se ekonomia nuk po prodhon më punësim.

Në fakt, INSTAT përdor dy metoda për të matur punësimin. E para është anketa e forcave të punës, e cila e mat punësimin përmes sondazheve që INSTAT kryen pranë një kampioni familjesh të shpërndara nëpër Shqipëri. Sipas kësaj ankete, në 3 muajt e fundit të vitit të kaluar, ekonomia shqiptare krijoi gjithsej vetëm 4.000 vende të reja pune, gjë që përbën një nga ritmet më të ulëta të rritjes së punësimit.

Por metoda e dytë, ajo e të dhënave administrative jep një panoramë edhe më të zymtë sesa kjo. Sipas listëpagesave që bizneset dorëzojnë te Tatimet, numri i të punësuarve në ekonomi, jo vetëm që nuk u rrit në tremujorin e katërt, por ra me 17 mijë vetë, ku ulja më e madhe është vënë re te të punësuarit në biznesin privat.

Një pjesë e këtij efekti mund të jetë e lidhur me mbylljen e lojërave të fatit, por shkaku kryesor për rritjen e papunësisë duket pafuqia e ekonomisë për të krijuar vende të reja pune. Një tendencë e nisur që në fillim të vitit të kaluar, i cili në terma të punësimit rezulton më i dobëti në 4 vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat