482 milionë lekë dyshohen si të padeklaruara në tatime

Shqipëria

482 milionë lekë dyshohen si të padeklaruara në tatime

Më: 12 mars 2019 Në ora: 16:30
Ilustrim

Komisioni për Sigurinë u mblodh sot, në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj dhe u njoh me raportin e aktivitetit vjetor për vitin 2018, të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Për të paraqitur raportin e punës së këtij institucioni, ishin të pranishëm Arlind Gjokutaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPPP, drejtorë dhe specialistë të tjerë të kësaj drejtorie.

Gjokutaj u shpreh se viti 2018, ka qenë një vit sfide për DPPPP, për shkak të angazhimit në procese të rëndësishme si vlerësimi nga Komiteti Moneyval, përfshirja dhe kontributi i dhënë në disa Task-Forca e plane veprimi, rritja e volumit të analizës së rasteve të dyshimta etj.

“Sa i përket procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i KIE – vendi ynë finalizoi procesin e vlerësimit (raundi i pestë ) nga Komiteti Moneyval, për çeshtjet e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, përshtatshmërisë ligjore,etj. DPPPP ka pasur një rol koordinues e udhëheqës në këtë proces , i cili përfshinte angazhimin e një sërë institucionesh publike e të pavarura”- theksoi në fjalën e tij  Gjokutaj.

Sa i përket bashkëpunimit me autoritet doganore, vijoi më tej  Gjokutaj , “kemi një bashkëpunim me tendenca në rritje. Dërgim prej tyre i një numri të qëndrueshëm rastesh të dyshimta, 49 në vitin 2018, kundrejt 46 , një vit më parë”.

“Gjithashtu, vlen të përmendet  bashkëpunimi me autoritet tatimore”,  vijoi raportimin  Gjokutaj. “Nga rastet e sinjalizuara nga DPPPP, janë dërguar në total 17 raste për vlerësim tatimor dhe vlera e dyshuar si e padeklaruar është 482 milionë lekë, nga të cilat  janë dërguar 7 raste për kallëzim penal”, tha Gjokutaj.

Vlen të evidentohet edhe rritja e bashkëpunimit të DPPPP me organet e zbatimit të ligjit dhe ato të inteligjencës. “Viti 2018 , theksoi në këtë kuadër Gjokutaj, shënoi një rritje me 10% të rasteve të dyshimta që subjektet e ligjit kanë raportuar në DPPPP, krahasuar me 2017″.

Për raportin e paraqitur, por edhe për çështjet që u ngritën prej diskutimeve të deputetëve, komisioni do të përgatisë një projektrezolutë për t’ia përcjellë më pas, seancës plenare për miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat