Seanca plenare, Kuvendi miraton disa ligje të rëndësishme

Shqipëria

Seanca plenare, Kuvendi miraton disa ligje të rëndësishme

Më: 13 mars 2019 Në ora: 19:05
Kuvendi

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kuvendi miratoi sot një projektligj, dy marrëveshje dhe një projektvendim.

Në fillim të seancës, Ruçi bëri me dije disa projektligje të depozituara në Kuvend nga Këshilli Ministrave. Seanca vijoi me betimin e shtatë deputetëve të rinj të opozitës:  Lefter Maliqi, Elda Hoti, Edlira Hyseni, Ediola Braha, Majlinda Halilaj, Alban Zenelaj dhe Ligoraq Karamelo, të cilët pas marrjes së mandateve nga KQZ, bënë betimin përpara Kuvendit.

Më pas, seanca mori në shqyrtim projektligjin “Për nxitjen e punësimit”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, e cila tha se qeveria është e aftë të bëjë politika, që të transmetojë zërin e qytetarëve, të cilët kërkojnë punë.

Sipas saj, reduktimi i papunësisë në përgjithësi dhe i të rinjve në veçanti është sot sfida më e vështirë, në nivel lokal, kombëtar, global dhe shkon sipas objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

“Synimi i kohezionit social nga niveli i lartë i papunësisë dhe i pabarazisë ushqen sot skeptikët dhe radikalët, prodhon pakënaqësi shoqërore dhe jo stabilitet politik. Tregu i punës ka pasur shumë vështirësi gjatë 20 viteve të fundit dhe një sërë problematikash, të cilat  do të marrin zgjidhje përmes këtij projektligji. Rritja ekonomike gjatë dekadës së fundit ka patur një ndikim në punësim”, nënvizoi Spahiu.

Ky projektligj u miratua me   82 vota pro 3 kundër dhe 1 abstenim.

Lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008”, z. Arben Pëllumbi, gjatë fjalës së tij, u shpreh se reforma që ne nisëm, në sektorin e energjisë, është padyshim një nga betejat kryesore që profilizoi mandatin e parë të kësaj mazhorancë, si pjesë e rëndësishme dhe e suksesshme e një sërë reformash që u ndërmorën në shumë sektorë kyç.

“Ky projekt i përgjigjet një faze normale rehabilitimi të digave kryesore të kaskadës së Drinit nëpërmjet së cilave synohet:rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdhenj të sistemit elektro-energjetik shqiptar, si dhe rritja e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e  qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë”, nënvizoi ndër të tjera z. Pëllumbi.

Ky projektligj u miratua me  84 vota pro dhe 1 kundër.

Ndërsa, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike, faza III”, në emër të grupit parlamentar të PS-së u shpreh Eglantina Gjermeni, e cila  tha se qëllimi i projektit është rehabilitimi i konvikteve të Universitetit të Tiranës, duke synuar kushte më të mira jetese për studentët , përmes rikonstruksionit të godinave, të cilat janë ndërtuar shumë vite më parë.

Gjermeni  theksoi se financimi që premton kjo marrëveshje i bashkohet qëllimit të programit për aplikimin e masave të efiçencës së energjisë në godinat e konvikteve të Tiranës, ku parashikohet rehabilitimi deri në nëntë godina dhe se kursimi i energjise ndikon në reduktimin e faturave financiare që duhet të paguajnë studentët.

Ky projektligj u miratua me  85 vota pro.

Kuvendi miratoi me 74 vota pro, 4 kundër dhe 7 abstenim  emërimin e Xhoana Lilaj, si anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat