Protesta, Ekonomi: Opozita mblodhi vetëm militantët

Shqipëria

Protesta, Ekonomi: Opozita mblodhi vetëm militantët

Më: 16 mars 2019 Në ora: 20:43
Milva Ekonomi

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, gjatë një interviste televizive, theksoi se protesta e stome ishte në nivel militantësh, jo e popullit. Sipas saj, LSI e PD, duhet të ulen në tryezë të bisedojnë mes tyre për t’i bërë një analizë të ftohtë vetes se ku duan të shkojnë.

Ekonomi tha se dhuna nuk duhet të jetë pjesë e protestës. “Të protestosh është e ligjshme, e shëndetshme në demokraci, por është e papranueshme dhuna. Nuk kuptohet përse protestat e opozitës nisin qetësisht, por kanë më pas dhunë. Kjo nuk mund të pranohet. Dhuna është në dëm të vendit. Këtë ia kanë bërë të qartë opozitës edhe ndërkombëtarët, që njëzëri kanë theksuar pasojat negative të dhunës në protestë”, tha Ekonomi.

“Po ta kishit vënë re, sot kishte më shumë militantë se qytetarë. Kjo po ndodh te opozita, s’kanë mbështetjen e qytetarëve, vetëm të militantëve. Nuk kishte gra e vajza, apo familjarë, por vetëm anëtarë partie.

Ajo përjashtoi çdo mundësi të largimit të Ramës nga pozicioni i Kryeministrit. “Mesazhit Rama ik, i është dhënë përgjigje. Jo vetëm nga ne, por edhe nga ndërkombëtarët. Rama nuk mund të ikë se ka dëshirë opozita, atë e vendos qytetari me votë dhe me votë, sot kryeministër është Rama dhe deri në vitin 2021, opozita duhet të mendojë për një platform konkuruese për të marrë votat e duhura për të qenë mazhorancë, në të kundërt do jetë sërish në opozitë”, tha Ekonomi.

Sipas saj, presidenti Meta duhet të luajë një rol konstruktiv dhe të jetë ndërmjetësues në dialogun me opozitën. “Metës i takon të negociojë mes palëve, ai duhet të japë një shembull dialogu. Deri më sot s’ka pasur asnjë shenjë”, tha Ekonomi.

“Shqipëria duhet të bëhet gati e të shkojë në zgjedhjet vendore që janë në qershor. Mazhoranca me në krye kryeministrin Rama, ka nisur turin Bashkia që duam. Një tur ku Kryeministri dhe qeveria vlerësojnë nevojat e çdo bashkie teksa ofrohen dhe modelet se si duhet të tejkalohen problemet ekzistuese”, tha Ekonomi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat