Rama inspekton investimet në qarkun e Beratit

Shqipëria

Rama inspekton investimet në qarkun e Beratit

Më: 17 mars 2019 Në ora: 15:05
Edi Rama

Kryeministri Rama ka kryer disa inspektime në qarkun e Beratit, ku investimet e qeverisë në qytet por edhe fshat, synojnë zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi inspektoi rrugën “Mihal Komneno”, që lidh beratin me lagjen muzeale “Kala”.

“Është një nga ndërhyrjet më cilësore, sepse është rikthyer komplet identiteti i zonës. Prekjet kanë qenë, jo vetëm në pjesën e nëndheshme, të gjitha kanalizimet, por edhe sistemimet e fasadave, të kalldrëmeve, e gjithë pjesa e ndriçimit, pra të gjitha kanë qenë pjesë e projektit, deri edhe elementët e vegjël arkitektonikë. Këto janë ndërhyrje të cilat vazhdojnë deri sipër, në pjesën e kalasë”.

Kreu i qeverisë foli për një program të nxitjes së banorëve që kanë në pronësi shtëpi muze, për t’i kthyer në bujtina në shërbim të turizmit.

“Një program financimi ku t’iu jepet akses atyre që marrin këto iniciativa dhe t’iu lehtësohet nga pikëpamja e financimit i gjithë procesi. Mund të jenë fonde garant, mund të jenë fonde me kredi me interesa shumë të ulëta”.

Si njofton zyra e medias pranë kryeministrisë, një fond investimi buxheti i shtetit ia ka dedikuar edhe rregullimit të problemit me përmbytjet e tokave në fshatin Rreth Tapi për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum. Kryeministri inspektoi nisjen e punimeve, i shoqëruar edhe nga deputetja e zonës Ermonela Felaj.

 “Kjo është mbrojtja lumore për këtë fshat që ka disa vite që vuan përmbytjen nga lumi. Nëse ne bëmë më parë mbrojtjen lumore në Urën Vajgurore, duke shpëtuar të gjitha ato shtëpi atje që përmbyteshin çdo vit, tani ka ardhur radha që ne të shpëtojmë të gjithë tokat edhe serat që fshatarët kanë këtu. Është një premtim i mbajtur në kohë të shkurtër, kështu që për këtë fshat është lajm i mirë”.

Një lajm të mirë edhe për fermerët në Mbrakull të Poliçanit, njofton kryeministria. 230 janë familjet fermere të kësaj zone që përmes fondit afro 30 milion lekësh të buxhetit të shtetit, iu mundësua kanali vaditës që i mundëson mbjelljen e tokës.

“Një investim i munguar prej 30 vjetësh. Të gjitha këto fusha, të gjithë këto toka deri dje ishin të thata. Sot është bërë e mundur që të marrin shërbim rreth 230 fermerë. 30 vjet kjo tokë që shihni sot të gjelbëruar ka qenë e thatë. Kjo ka bërë edhe që të gjithë familjet e fshatit Mbrakull të merrnin rrugët e kurbetit”.

Kryetari i Bashkisë Poliçan, Adratik Zotkaj, tha gjithashtu se në Mbrakull po investohet edhe tek qendra e fshatit, falë Programit të Rilindjes Rurale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat