Pranimet e reja në universitete, zbardhen kuotat te Mjekësia

Shqipëria

Pranimet e reja në universitete, zbardhen kuotat te Mjekësia

Më: 18 mars 2019 Në ora: 16:40
Ilustrim

Universiteti më i ri në vend, njëherësh ndër më të preferuarit nga maturantët, do të tkurret. Senati Akademik ka miratuar kuotat e reja për vitin e ardhshëm akademik, duke vendosur të pranojë afro 10% më pak studentë, si në studimet bachelor, ashtu edhe në ato master. Më konkretisht, nga 1356 vitin e shkuar, këtë vit janë miratuar 1239 kuota. Shkurtimi nuk prek kurrsesi degën e Mjekësisë, që ofrohet si program i integruar dhe do të pranojë po 332 studentë edhe këtë vit (përfshirë ata nga trojet dhe të kategorive të veçanta).

Është Stomatologjia ajo që do të ketë ulje të numrit të pranimeve me afro 20 studentë e po ashtu dhe Fizioterapia, që do të pranojë 30 të rinj më pak. “Gërshërët” e uljes së numrit të studentëve në auditorë kanë prekur edhe degë të tjera, pjesë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike si: Teknikë Imazherie, Teknikë Laboratori dhe Logopedi. Maturantët që kanë në plan të aplikojnë në një nga profilet e Mjekësisë duhet të konsultohen më parë me kriteret dhe numrin e pranimeve, me qëllim që të mos djegin preferencat.

Përpos kapaciteteve fizike që ofrojnë fakultetet e Mjekësisë, nuk ka një arsye të qartë për një ulje të tillë pranimesh, në një kohë që është një ndër më të lakmuarit nga të rinjtë. Mijëra maturantë të shkëlqyer konkurrojnë çdo vit për një vend te Mjekësia. Me paktin e ri të qeverisë, përllogaritet që së paku vitin e parë, thuajse të gjithë ata që shpallen fitues (zakonisht janë me mesatare mbi 9) të mos paguajnë asgjë për shkollimin.

KRITERET

I pari universitet që ka bërë publike kuotat ka qenë pararendës edhe për kriteret e pranimeve. Fituesit do të përcaktohen në bazë të rezultateve të përgjithshme në gjimnaz, ato në katër provimet e maturës dhe në tri lëndët formuese për një mjek të ardhshëm.

Këto të fundit do të vijojnë të kenë 30% të peshës së pikëve totale, ndërsa ndryshe nga një vit më parë, ku 70%- shi ndahej proporcionalisht midis dy treguesve të mësipërm, sivjet vlera më e madhe 40% i është dhënë notës mesatare të provimeve të Maturës Shtetërore dhe 10% notës mesatare të gjimnazit.

Kusht për aplikimin në tri degët e shumëkërkuara: Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji është nota mesatare e gjimnazit, e barabartë ose më e madhe se 8.5, në Shëndet publik 8, në gjashtë degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike 7.5, si dhe në profilet Higjienist Dentar dhe Teknikë Dentare mjafton mesatarja 7.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat