Mbledhja e KLP, sot çelet gara për prokurorin e përgjithshëm - Bota Sot
Mbledhja e KLP, sot çelet gara për prokurorin e përgjithshëm

Shqipëria

Mbledhja e KLP, sot çelet gara për prokurorin e përgjithshëm

Më: 19 mars 2019 Në ora: 09:28
Foto

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet këtë të martë prej orës 10 në atë që rezulton të jetë mbledhja e 8 e këtij institucioni të ri të ngritur prej miratimit të Reformës në Drejtësi, me në fokus dy çështje të rëndësishme.

Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje pritet të miratohet projektrregullorja mbi “kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, e quajtur ndryshe SPAK.

Drafti u sigurua një ditë më parë nga Top Channel, e në të diskutohet edhe pjesëmarrja e monitoruesve nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SPAK, monitorim nga BE dhe SHBA gjatë përzgjedhjes së prokurorëve

Si pikë e dytë e rendit të ditës është edhe miratimi i rregullores për “kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”, miratim pas të cilit do të bëhet edhe çelja e garës. Brenda 30 ditëve nga ky hap bëhet shprehja e interesit nga palët e interesuara për të kandiduar.

E kur kanë mbetur vetëm pak orë nga çelja e garës për kryeprokuror, dy emra janë të sigurtë që do të garojnë: kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dhe prokurori Olsian Çela, dy ish-shokë klase te Magjistratura. Megjithatë nuk përjashtohet një emër i tretë në këtë garë, teksa përflitet ai i Adnan Xholit, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Mbledhja e KLP do të zhvillohet në sallën e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me dyer të mbyllura, pasi mediet do të lejohen vetëm gjatë prezantimit të rendit të ditës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...