Dinamika e ekzekutimit/ Jurgen Kurti u vra me 20 plumba, ja dy pistat e hetimit. Çfarë filmuan kamerat

Shqipëria

Dinamika e ekzekutimit/ Jurgen Kurti u vra me 20 plumba, ja dy pistat e hetimit. Çfarë filmuan kamerat

Më: 20 mars 2019 Në ora: 14:31
Jurgen Kurti

Vrasja e 26-vjeçarit Jurgen Kurti mbrëmjen e së hënës në Tiranë, edhe pas 24 orësh vijon të ketë mjaft pikëpyetje, jo vetëm në lidhje me motivet e krimit, por edhe sa i përket dinamikës së ngjarjes.

Ashtu si në informacion paraprak dhe të vetëm të shpërndarë nga Policia pak momente pas ngjarjes, kur tha se rrethanat e krimit ishin të paqarta, të tilla kanë vijuar të jenë edhe dje. Paraditen e djeshme, ekspertë kriminalistë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore janë kthyer sërish në vendin e ngjarjes, duke bërë mbikëqyrjen, por edhe për të zbuluar ndonjë provë të re që mund të ndihmonte në zbardhjen e vrasjes.

Dëshmitarët kanë dhënë versione të ndryshme për shkak edhe të errësirës në rrugën “Zef Jubani”. Disa kanë deklaruar se kanë parë një makinë të dyshimtë duke u larguar menjëherë pas të shtënave, ndërsa disa të tjerë flasin për një person që është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe poshtë një xhupi mbante të fshehur një objekt të dyshimtë.

Një kamerë sigurie që mund të vinte në ndihmë të hetimit, ndër të paktat që kanë qenë funksionale pranë vendngjarjes, ka filmuar në një kënd ku skena e krimit duket shumë pak.

Sipas filmimit të analizuar nga Policia, një automjet tip “Mercedez”, që nuk saktësohet dot modeli nëse është “C Class” apo “E Class”, është vlerësuar si mjeti i dyshuar i përdorur nga atentatorët. Megjithatë, në atë kohë shfaqen në video edhe 3 automjete të tjera, duke bërë që sërish të ketë paqartësi.

HETIMI

Nisur nga precedenti i dy viteve më parë, kur Jurgen Kurti u dyshua si i përfshirë në vrasjen e tregtarit Agim Arapi në Durrës, pista e parë e ngritur nga Policia ka qenë ajo e hakmarrjes. Edhe pse pa ndonjë provë konkrete në këtë drejtim, Policia ka shoqëruar disa të afërm të Arapit, fillimisht si të dyshuar, por pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë. Nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor po verifikojnë edhe ndonjë konflikt të kohëve të fundit, ku mund të jetë përfshirë viktima. Për këtë arsye është sekuestruar dhe po verifikohet telefoni i 26-vjeçarit Kurti, që mund të shërbejë për hetimin.

DINAMIKA

Para se të ekzekutohej para hyrjes së pallatit nga të paktën 20 plumba të shkrepur drejt tij, Jurgen Kurti kishte qenë në një palestër që ndodhet fare pranë zonës ku ndodhi ngjarja. Ai e frekuentonte rregullisht sallonin sportiv që ndodhet te Posta Nr.8, pas së cilës është rruga “Zef Jubani”, ku ndodhi ngjarja. Ai ka dalë nga aty dhe ka lëvizur në këmbë drejt shtëpisë, ku ra në pritën e organizuar për eliminimin e tij. Jurgen Kurti ka qenë duke ecur në trotuarin poshtë pallatit ku banon bashkë me të ëmën, kur drejt tij është qëlluar me breshëri dhe ka mbetur i vdekur në vend. Policia ka sekuestruar më shumë se 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat