‘Epilogu i dialogut varet mes administratës së Trump me Rusinë’

Shqipëria

‘Epilogu i dialogut varet mes administratës së Trump me Rusinë’

Më: 21 mars 2019 Në ora: 14:02
‘Epilogu i dialogut varet mes administratës së Trump me Rusinë’

Serbia ende nuk ka një qëndrim zyrtar se me çka është e gatshme të njohë Republikën e Kosovës, për dallim prej kësaj të fundit që tashmë ka një platformë për bisedimet në Bruksel.

Kështu u tha sot në debatin publik me temën "Platforma e Kosovës për dialog - realiteti apo fundi i dialogut”.

Fatmir Limaj, bashkëkryesues i ekipit negociator për dialogun, tha se Kosova është e pacenueshme në territorin e saj dhe se pa njohje nuk ka kuptim asnjë bisedim.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të vazhdojë me praktikën e së kaluarës ku çështja e rëndësishme e dialogut të fokusohet në individ apo vetëm në qeveri, ndërsa përkujtoi edhe një herë se platforma e hartuar është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Limaj tha që presin nga Serbia të nxjerrë tema për të cilat vlerësojnë që duhet të diskutohet, ashtu siç ka vepruar Kosova.

Për Limajn, është e pakuptimtë ‘zhurma që po bëhet në Beograd’, meqë siç tha ai, ata e dinë që Kosova e ka një Kushtetutë dhe që funksionon mbi bazën e pakos së Marti Ahtisaarit.

Limaj: Pa njohje nuk ka kuptim asnjë bisedim

“Çka ka pritur Beogradi nuk e di, presim përgjigje zyrtare të Beogradit. Kosova sot ka një propozim zyrtar në dialogun me Serbinë, ne ende nuk kemi asnjë qëndrim, pozicion zyrtar të Serbisë me çka Serbia është e gatshme të njohë Republikën e Kosovës. Përveç opinioneve të zyrtarëve serbë, të lexuara e të dëgjuara në publik, ne nuk kemi qëndrim zyrtar siç e ka Republika e Kosovës në raport me dialogun e mundshëm. Kosova shkon në Bruksel për njohje, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të republikës sonë, Kosova është e pandashme, e pacenueshme në territorin e saj, dhe e patjetërsueshëm. Pa njohje nuk ka kuptim asnjë bisedim”, tha ai.

Ndërsa Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste serbe, foli për serbët e Kosovës për të cilët tha se kanë mbetur ‘të askujt’.

Rashiq: Serbët e Kosovës kanë mbetur ‘të askujt’

“Në procesin e dialogut ne jemi si ‘gjeldeti në mjegull’, nuk jemi të informuar në mënyrë të mjaftueshme nga Beogradi, e kemi një mur të komunikimit me Prishtinën, është e pa lejueshme, dhe kemi heshtje konstante të unionit evropian. Negociatorët që kanë qenë në këtë proces nuk kanë autoritet të mjaftueshëm dhe nuk kanë vullnet të merren me ne serbët e Kosovës, po duket që ne serbët e Kosovës nuk jemi të askujt, jemi të lënë anash nga të gjitha institucionet e rëndësishme, që ne vetë të gjendemi dhe të manipulohet me ne kush të dëshirojë”, tha ai.

Analisti Fadil Lepaja duke folur për platformën, tha se varet nga Serbia sa është e gatshme të pranojë raportin e ri me Kosovën.

Lepaja: Epilogu i dialogut varet mes administratës Trump me Rusinë

“Ka dalë që Serbia ka blerë kohë me dialog, duke pritur ndryshime në administratën amerikane, për të cilën e kanë sugjeruar miqtë në Rusi. Sinqerisht, nuk ka dashur asnjë marrëveshje me shqiptarët, kanë shkuar me idenë e demarkacionit në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe një marrëveshje historike, e cila do të mundësonte një lidhje të re në Ballkanin Perëndimor. A i kontribuon platforma dialogut, apo e rrënon, ajo i qet gjërat në vendin e vet dhe varet prej Serbisë sa është e gatshme të pranojë raportin e ri me Kosovën dhe a është e gatshme për partneritet me Kosovën. Epilogu i dialogut varet mes administratës së Trump me unionin e Rusisë dhe me fuqitë e tjera, të cilat kanë interes në regjion” tha ai.

Ndërsa Aleksander Dikiq nga Forumi Nacional i Serbëve, tha se derisa në Kuvendin e Kosovës diskutohet për dialogun, dhe janë formuar ekipe, në Serbi nuk po ndodh e njëjta gjë dhe ende nuk dihet qëndrimi zyrtar i Beogradit.

Dikiq: Taksa është vetëm për të blerë kohë

“Ajo që Beogradi thotë që platforma i ka stopuar negociatat, ajo është thënë nga disa vende, mirëpo nuk ka qëndrim zyrtar çfarë është në Prishtinë, këtu kemi Kuvendin që diskuton për këto probleme, në Prishtinë e kemi ekipe të cilat e bëjnë këtë, në Beograd nuk i kemi, unë vërtetë nuk di saktë me çfarë Beogradi shkon. Kam frikë që storia për taksa është problem, i cili zgjidhet shumë lehtë, ngatërrimi i rrjedhave ekonomike në politikë konsideroj se i ka prodhuar shumë dëm Kosovës afatgjatë për vende ku mund të investohet. Mirëpo, çështja e taksave është vetëm që të blihet kohë për diçka, nuk e di për çfarë, sepse nuk e di qëndrimin zyrtar të Beogradit”, tha ai.

Ndryshe, dialogu me Serbinë është ndërprerë pas vendosjes së taksës nga ana e Prishtinës zyrtare në nëntor të vitit të kaluar. Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e procesit në Bruksel me heqjen e taksës, derisa kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar disa herë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia të njohë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat