Protesta në Tiranë, policia procedon 29 persona

Shqipëria

Protesta në Tiranë, policia procedon 29 persona

Më: 22 mars 2019 Në ora: 10:15
Protesta

Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 6 shtetas për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ditën e djeshme para parlamentit.

Veprimet procedurale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raportshërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Janë proceduar në gjendje të lirë edhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim, përcjell Atsh.

Po ashtu, është proceduar penalisht edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi si organizator i protestës.

Janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” shtetasit 6 shtetas shqiptarë nga mosha 20 deri në 31-vjeç.

Policia njoftoi se po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat