Biznesi ankohet te Shalsi – Raporti: 31 ankesa vetëm në shkurt, 70% në proces verifikimi

Shqipëria

Biznesi ankohet te Shalsi – Raporti: 31 ankesa vetëm në shkurt, 70% në proces verifikimi

Më: 22 mars 2019 Në ora: 12:46
Ilustrim

31 ankesa janë depozituara nga bizneset pranë Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, që tashmë drejtohet nga Eduard Shalsi, vetëm gjatë muajit shkurt. Sipas raportit mujor të publikuar nga ky dikaster, një pjesë e ankesave janë trajtuar me zgjidhje dhe disa me përgjigje, ndërsa rreth 70% e tyre janë në proces verifikimi. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ajo e Tatimeve, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Ujit apo Inspektorati i Punës janë disa prej insitutucioneve, ndaj të cilëve biznesi është ankuar.

Ndërkohë që, natyra e problematikave të ngritura varion sipas dikastereve. Ndërkaq, për muajin shkurt ministria raporton një sërë takimesh me shoqatat e biznesit, në lidhje me problematikat që ato hasin, kryesisht në drejtim të paketës fiskale.

Sipas raportit të publikuar, pas takimeve të zhvilluara me  Shoqatën e Prodhuesve Shqiptarë si dhe me Shoqatën e Industrialistëve Ushqimorë, të cilët kanë patur ndikime në sipërmarrjet e tyre nga ndryshimet e paketës fiskale 2019, shqetësimet e tyre janë përcjellë pranë institucioneve përkatëse që merren me ndryshimin e politikave fiskale. Taksa e plastikës apo rimbursimi i TVSH-së për fermerët kanë qenë shqetësimet kryesore të këtyre grupeve, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë sinjal nga Ministria e Financave për rishikimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat