Basha për mediat italiane: Jo Shqipërisë së drogës dhe pastrimit të parave

Shqipëria

Basha për mediat italiane: Jo Shqipërisë së drogës dhe pastrimit të parave

Më: 23 mars 2019 Në ora: 16:36
Lulzim Basha

"Jo Shqipërisë së drogës dhe pastrimit të parave" është titulli që gazeta italiane ‘Il fatto quotidiano’ i ka vendosur intervistës së zhvilluar me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në bisedë, kreu i selisë blu akuzon policinë se e ka përdorur gazin lotsjellës në mënyrë të pajustifikueshme.

Madje ai akuzon se qëllimi është i qartë: Nuk duan që njerëzit, veçanërisht gratë dhe familjarë me fëmijë, të marrin pjesë në protesta.

Sa i përket bashkëpunimit me LSI, Basha shprehet se qëllimi i të dy forcave politike është i njëjtë.

Basha: Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pisëta.

Sipas Bashës, në raportet e Europolit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria shihet si prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e BE-së si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Europës Perëndimore.

Ndaj kreu i PD-së thekson se vetëm largimi i Ramës do të eleminojë mundësinë e blerjes së votave me paratë e drogës prej mazhorancës.

Basha: Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.

Deklaratën e Ramës në Shqipëri se nuk ka një revoltë të popullit por revoltë të një opozite e cila u dërgua në shtëpi pasi shkatërroi ekonominë dhe zhyti vendin në kënetën e pandëshkueshmërisë, Basha e konsideron propagandë.

Madje ai thekson se në sondazhe, Partia Demokratike do të fitojë shumicën nëse sot zhvillohen zgjedhje të përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat