Balla: PS, e vendosur të çojë para drejtësinë dhe reformën zgjedhore

Shqipëria

Balla: PS, e vendosur të çojë para drejtësinë dhe reformën zgjedhore

Më: 23 mars 2019 Në ora: 17:18
Taulant Balla

(E plotësuar) - Në përfundim të Kongresit të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Taulant Balla bëri të ditur për mediet edhe një deklaratë të miratuar nga të gjithë pjesëmarrësit.

“Ne erdhëm me bindjen se jemi e vetmja forcë politike që mund të ofrojmë ekonomi, shërbime për të gjithë, drejtësi sociale dhe punësim. Të ndërgjegjshëm se opozita ka krijuar një ngërç artificial, na lind detyra të përfaqësojmë masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë, një Shqipëri evropiane”, u shpreh Taulant Balla.

Ai përmendi arritjet në këtë gjysmë të parë qeverisjeje nga PS-ja e vetme në pushtet.

“Ka ardhur koha të bëjmë një bilanc për të gjitha angazhimet e ndërmarra deri më sot. Kemi siguruar rritjen më të madhe ekonomike, punësimin më të madh, rritjen e investimeve të huaja direkte në nivele rekord për 3 vite radhazi, rritje të konsumit dhe rritje dyshifrore të konsumit dhe turizmit e vizitorëve. Falë taksës progresive, shqiptarët kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë të barrës fiskale, sikurse edhe bizneset. Të ardhurat janë rritur ndjeshëm dhe përfitimet më të mëdha i kanë ndierë familjet me të ardhura më të ulëta”, tha Balla.

Ndërkohë, shpalosi edhe sfidat me të cilat përballet në gjysmën e dytë të mandatit qeverisës.

“Partia Socialiste është njësoj e vetëdijshme për sfidat në vijim, përfshi transformimin radikal të sistemit të drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi, e më tej rritja ekonomike, ajo e punësimit, mbështetja e fermerëve etj. Sigurisht që bashkëqeverisja me njerëzit ka qenë kryefjala për një qeverisje më të mirë për Shqipërinë tonë, Shqipërinë që duam”, theksoi Balla.

Djegien e mandateve opozitare, ai e quajti edhe njëherë një akt të pashembullt, teksa tha se PS do të çojë përpara Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore.

“Ne refuzojmë retorikën destruktive, e jemi të hapur për bisedime që do të na çojnë drejt rrugëtimit tonë me destinacion Evropën. Sfida të reja na presin me qytetarët dhe për qytetarët, duke nisur nga zgjedhjet lokale të qershorit. Partia Socialiste është e vendosur ta çojë përpara Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Produkti paraprak i shkruar nga ekspertët më të mirë vendas nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve do t’i nënshtrohet një procesi debati publik. PS nuk mund t’i nënshtrohet për asnjë çast shantazheve politike nga grupe të caktuara. Djegia e mandateve nga deputetët opozitarë është një akt i pashembullt jo vetëm ndaj qytetarëve, por ndaj demokracisë dhe rendit institucional. Kjo është një goditje ndaj interesave afatgjata të Shqipërisë, duke minuar shanset për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë PS mbetet e përkushtuar dhe, si forcë e legjitimuar nga qytetarët, të avancojë agjendën evropiane të Shqipërisë, pa u deformuar nga pakica e mbetur jashtë Parlamentit”, përfundoi Balla

Balla: Gati për të miratuar reformën zgjedhore me këto tre pika

Në përfundim të Kongresit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla përmes një komunikimi me gazetarët ka deklaruar se shumica do te miratoje reformen zgjedhore bazuar te rekomandimet e OSBE-se.

"Opozita ka krijuar një ngërc artificial. Na lind detyra të përfaqësojmë masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë. Ka ardhur koha të bëjmë një bilanc të angazhimeve. Rritje të eksporteve, turizmit dhe punësimit.Refuzoj politikën destruktive dhe gjuhën e urrejtjes. Shqipëria është një vend me vokacion europiane dhe rruga e vetme mbetet Europa. Në prag të zgjedhjeve lokale të tjera sfida na presin.

PS-ja është e vendosur për të cuar përpara reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-së duke e bazuar në tre shtylla, depolitizimi, sigurimi i votës dhe aplikimi i teknologjisë për votim dhe numërim elektronik. Djegia e mandateve është një akt i pashembullt. PS-ja i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të avancojnë axhendën europiane. Dialogu mbetet e vetmja zgjidhje në favor të vendit. Kongresi vendosi piketat për përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e 2021" tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat