Ekonomi: Basha të japë llogari në Prokurori për fondin e pajustifikuar të fushatës

Shqipëria

Ekonomi: Basha të japë llogari në Prokurori për fondin e pajustifikuar të fushatës

Më: 25 mars 2019 Në ora: 18:34
Milva Ekonomi

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi gjatë një interviste televizive u shpreh se, konfirmimi i Erion Veliajt si kandidat i Partisë Socialiste për një mandat të dytë në Bashkinë e Tiranës vjen pas transformimit pozitiv, modern, që i ka bërë kryeqytetit.

Sipas deputetes Ekonomi, Veliaj ka ndërmarrë disa nisma shumë të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike. “Ne jemi dëshmitarë se si ndryshoi sheshi “Skënderbej”, “Pazari i ri”, gjelbërimi i Tiranës, një projekt tepër ambicioz, që po jep rezultate. Kemi pasur modelin e suksesshëm “Adopto një Çerdhe”, apo projekte të tjera. Reforma territoriale e ndërmarrë nga PS i ka dhënë mundësi Veliajt të ndërmarrë nisma edhe më të mëdha, duke reformuar tregun bujqësor në fshatrat e Tiranës, shiko Baldushkun.”, tha Ekonomi gjatë një interviste televizive.

Deputetja e PS-së tha se Tirana po shndërrohet në një qytet modern. “Unë besoj se tiranasit siç dëshmuan në shesh besojnë te ndryshimi pozitiv në kryeqytet. Ditën e shtunë administrata është pushim dhe nëse ti punon në administratë dhe ke dëshirë të marrësh pjesë në një manifestim pasi mendon se punët po venë mbarë, askush s’të ndalon. Nuk ishte askush me detyrim. Pastaj, nëse punonjësit e administratës besojnë drejtuesin e tyre dhe e ndjekin atë, atëherë këtu s’ka asnjë detyrim”, tha Ekonomi.

Partia Socialiste sipas saj, ka një kërkesë llogarie e vazhdueshme dhe kjo është për të gjithë kryebashkiakët. “Ka një garë brenda në PS. Ka një garë që është gara me atë që i ke vënë objektiv vetes kur more besimin e partisë si kandidat. Grupi, partia, kërkon llogari ndaj këtij kandidati që ka fituar zgjedhjet nëse i ka mbajtur ose jo premtimet”, tha Ekonomi.

Sipas saj ende s’janë përcaktuar të gjithë kandidatët që do përfaqësojnë PS në zgjedhjet lokale. “Një pjesë e kandidatëve janë fiksuar, të tjerë ende jo. PS bën disa punë për të shpallur kandidatura. E para, janë sondazhet se çfarë kërkon popullata e asaj bashkie. E dyta nëse ju kujtohet, ne kemi shpallur një listë me indikatorë dhe të gjithë ato që janë kryetarë partie në zonat ku drejton Partia Socialiste, duhet të plotësojnë indikatorët. Durrësi në proces zgjedhjeje të kandidatit, apo konfirmimit të Dakos”, tha Ekonomi.

Sipas saj, zgjedhjet lokale do të mbahen me 30 qershor dhe çdo parti ka të drejtë të marrë pjesë ose të mos marrë pjesë. “Janë 105 parti politike të regjistruara dhe të gjitha kanë të drejtë të marrin pjesë, nëse ndonjë prej 105 partive nuk dëshiron të marrë pjesë, zgjedhja e saj. Po ashtu, kemi dhe kandidatë të pavarur. Ne s’mund të themi që s’kemi opozitë. Në Kuvend kemi deputetë përfaqësues që vijnë nga listat e PD e LSI dhe këto janë përfaqësues të opozitës”, vijoi deputetja socialiste.

Lidhur me hetimin e Prokurorisë ndaj PD, Ekonomi tha, “Basha bëri mirë që s’iu largua prokurorisë këtë herë. Ka bërë mirë që ka shkuar të paktën, se herën e shkuar nuk shkoi, i doli një udhëtim jashtë vendit. Hetimi ka të bëjë me 650 mijë dollarë të pajustifikuar nga ana e Partisë Demokratike. Ka ardhur letër porosia nga Skocia e SHBA dhe Basha ka shkuar të japë llogari se përse nuk janë justifikuar 650 mijë dollarët gjatë fushatës së shkuar elektorale. Ne duhet të lëmë prokurorinë të bëjë punën e saj”, tha deputetja socialiste, Milva Ekonomi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat