Shpenzime rekord jashtë Shqipërisë, “fluturojnë” 1.4 miliard euro

Shqipëria

Shpenzime rekord jashtë Shqipërisë, “fluturojnë” 1.4 miliard euro

Më: 26 mars 2019 Në ora: 08:40
Ilustrim

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2018-n arritën në 1.42 miliardë euro, duke u rritur me 13% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar i shpenzimeve jashtë vendit, që pas viteve ’90.
 

Në të kundërt, të huajt kanë sjellë më shumë para në Shqipëri në udhëtimet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, të huajt që vizitojnë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve vinë për vizitë tek të afërmit dhe qëllime turistike, shpenzuan 1.86 miliardë euro në 2018-n, edhe ky një nivel rekord, me një rritje prej 8.8% me bazë vjetore.

Bilanci neto mbetet pozitiv për Shqipërinë, me 430 milionë euro, që është diferenca mes parave që sollën turistët dhe atyre që shqiptarët shpenzuan jashtë.

Por, teksa shpenzimet e shqiptarëve jashtë u rritën me ritme më të larta sesa hyrja e të ardhurave nga të huajt, bilanci neto u përkeqësua me 3.4% në raport me vitin e mëparshëm. Kjo është hera e parë në 5 vitet e fundit, që bilanci i udhëtimeve përkeqësohet, teksa që pas vitit 2013, ai kishte shënuar një përmirësim të ndjeshëm.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, Shqipërinë e vizituan në 2018-n një numër rekord prej 5.93 milionë të huaj, me një rritje prej rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm. 97% e tyre kanë ardhur për qëllime turizmi dhe për vizitë tek të afërmit dhe pjesa tjetër për biznes, trajtime shëndetësore, qëllime fetare apo për tranzit.

Më shumë se një e treta e turistëve që erdhën në Shqipëri në 2018-n ishin nga Kosova, me 35% të totalit. Më pas renditen maqedonasit me 11.4%, grekët (9.3%), italianët (7.3%), malazezët (6%).

Gjatë vitit të kaluar u shënuar një rritje e ndjeshme e turistëve nga Polonia me 35%, por që gjithsesi përbënin vetëm 2.5% të totalit të të huajve që vizituan vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat