Drejtori i BERZH: Shqipëria, performancë të fuqishme ekonomike

Shqipëria

Drejtori i BERZH: Shqipëria, performancë të fuqishme ekonomike

Më: 26 mars 2019 Në ora: 19:13
Matteo Colangeli

Drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)  në Shqipëri, Matteo Colangeli, deklaroi se “performanca e fuqishme ekonomike e Shqipërisë, është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor”.

I ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Colangeli tha se “performanca ekonomike e Shqipërisë vazhdon të jetë e fuqishme, një prej më të lartave në Ballkanin Perëndimor. Duhet thënë që është e rëndësishme të vazhdojmë përmirësimin e cilësisë së kësaj rritjeje, në aspektin e qëndrueshmërisë (përmes diversifikimit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë), si edhe në aspektin e përfshirjes (zgjerimin e shpërndarjen e rritjes ekonomike në zona dhe grupe shoqërore të ndryshme të vendit)”.

Ai e konsideroi të rëndësishme që të mbahet fokusi te reformat që ka nevojë vendi për të vazhduar rrugën drejt BE-së.

Colangeli, garantoi mbështetjen e BERZH-it në zhvillimin e sektorit privat në disa mënyra.

Duke vlerësuar pozitën e favorshme gjeografike të Shqipërisë, kreu i BERZH theksoi se, “ky fakt duhet të integrohet në rrjetin e vlerave globale. Kjo do të sjellë zhvillimin e infrastrukturës së vendit, veçanërisht në raport me lidhjet e transportit dhe përmirësimin e klimës së investimeve për të tërhequr një nivel më të lartë investimesh të huaja direkte”.

Colangeli tha se, “Shqipëria ka potencial të fuqishëm në sektorët e turizmit, energjisë diellore e agrobiznesit”.

“Ne financuam vitin e kaluar projektin TAP me kredinë një miliard euro. Në sektorin e transportit, ne shpresojmë se Hekurudha shqiptare do të fillojë zbatimin e projektit hekurudhor Durrës-Tiranë-Rinas këtë vit. Ndërsa projektet e reja, që po punojmë për një financim, janë dy segmentet e rëndësishme rrugore bregdetare Vlorë-Orikum dhe Shëngjin-Velipojë”, – tha Colangeli.

“Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e saj drejt përafrimit me BE-në. Reformat e thella në shumë sektorë do të duhet të zbatohen në atë kontekst”, tha ai duke nënvizuar veçanërisht zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat