Ka nisur “Lufta e Ftohtë” mes PD dhe LSI

Shqipëria

Ka nisur “Lufta e Ftohtë” mes PD dhe LSI

Më: 27 mars 2019 Në ora: 09:30
Foto

Pas 5-6 javësh nga vendimi ekstrem i djegies së mandateve të deputetëve të opozitës dhe daljes së saj nga Kuvendi, do të kishim dy rrugë:

Ose ky akt i paprecedentë politik, do të prodhonte një reaksion të shpejtë zhvillimesh dinamike politike, e ndihmuar edhe nga uragani i një fryme popullore antiqeveritare, që do të çonte në tronditjen e themeleve të mazhorancës. Për rrjedhojë, gjithë faktorët dhe aktorët opozitarë sa do vinin e do kompaktësoheshin, edhe për shkak të aromës së pushtetit, që do u afrohej herët ose vonë, pashmangshmërisht.

Ose ky hap “in extremis”, do të prodhonte të kundërtën. Duke mos krijuar dot as pritshmërinë, as aromën dhe as “kiminë” e ndryshimit, fryma dhe nervi i aksionit opozitar do vinte duke rënë. Opozita jonë sot ndodhet pikërisht në këtë rrugë të dytë. Shenjat kanë filluar të duken, që nga rënia ditë pas dite e numrit të protestuesve dhe entuziazmit të protestave, e cila po shoqërohet tani me rrallimin dhe bjerrjen e tyre, në kohë dhe në hapësirë.

Ka qenë kjo edhe arësyeja, se përse Kryetari i PD Lulzim Basha ka kritikuar ashpër ish deputetët e tij, duke u tërhequr vëmendjen si kurrë më parë, që të mos rrinë me njëri- tjetrin duke bërë muhabete nëpër kafene, por të intensifikojnë takimet me qytetarët në bazë. Ndërkohë, që nga e shtuna kur PS zhvilloi Kongresin Elektoral dhe mbajti një takim publik të jashtëzakonshëm me qytetarët në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi është “zhdukur” nga skena publike, duke e shtuar edhe më tepër, misterin rreth raporteve brenda përbrenda kampit opozitar.

Në këtë atmosferë, ka ardhur orët e fundit një thirrje e re nga Ambasadori i BE, Luigi Soreca drejtuar klasës sonë politike, për tu ngritur mbi dallimet partiake në përmbushje të një objektivi strategjik kombëtar: “Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm që nga qershori i kaluar. Ka ende punë për t’u bërë deri në qershorin e ardhshëm. Është me të vërtetë koha tani për të kapërcyer dallimet partiake dhe për t’u angazhuar në dialog. Për të mbrojtur interesat e popullit shqiptar, që dëshiron të vazhdojë të lëvizë drejt BE-së”.

Menjëherë pas kësaj thirrje, ka patur dy qëndrime të ndryshme brenda opozitës. Qëndrime që kanë bërë të identifikohen qartë, dy qëndrime, dy mendime dhe për rrjedhojë edhe dy grupe në gjirin e “Opozitës së Bashkuar”. Për LSI, nëpërmjet ish ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti zgjidhja mund të vijë nga “njëtryezë e Presidentit dhe jo nga një takim Rama-Basha, sepse herën e parë ajo rezultoi e dështuar. E vetmja alternativë mbetet Presidenti i Republikës. Është përgjegjësi e kreu të shtetit për vendosur stabilitetin.”

Por nuk është i këtij mendimi Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane i cili është edhe aleati më i vjetër dhe besnik i PD. Sipas tij zgjidhja mund të vijë jo nga brenda vendit, por nga ndërkombëtarët. Ai tha se për këtë “duhet një punë më e organizuar nga ana e opozitës në këtë drejtim”.

“Ne nuk mund të rrimë të presim se do ta kuptojnë ose jo ndërkombëtarët dhe duke pasur në konsideratë faktin se ka probleme të jashtëzakonshme sot dhe përtej Atlantikut, por edhe në Europë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare europiane, ne duhet të jemi shumë më këmbëngulës për të negociuar dhe diskutuar jo vetëm thjesht problemin që ka Shqipëria, por edhe alternativën e zgjidhjes që duhet të ofrojmë si opozitë.”

Këto qëndrime dukshëm gjithnjë e më të ndryshme ditët e fundit mes PD dhe LSI por edhe aleatëve të tjerë, tregojnë se brenda gjirit të opozitës, ka një krisje e nisur në formën e një “Lufte të Ftohtë”. “Perdja e Hekurt” në këtë rast, duket se është përvijuar të jetë, formula e zgjidhjes së situatës në të cilën ata e kanë futur veten.

PD dukshëm po e kërkon ndihmën dhe e sheh zgjidhjen, jashtë Shqipërisë, tek ndërkombëtarët. Në Bruksel, Uashington apo në Berlin…, etj. Ndërsa LSI e sheh shpëtimin tek ish Kryetari i partisë së saj, i cili sot mban postin e Presidentit të Republikës. Përtej qëndrimeve të Edi Ramës dhe PS, në lidhje me Ilir Metën që ka mbajtur qëndrime të çuditshme rreth situatës, është e qartë se vetë opozita nuk ndan të njëjtin qëndrim për besueshmërinë e tij, në lidhje me dialogun politik mes palëve.

Në këto kushte, me sa duket ka ardhur koha e dialogut brenda vetë opozitës fillimisht, e cila ka kohë pa e mbledhur tryezën e liderëve të partive aleate. Më pas, të shohim e të bëjmë, nëse PD dhe LSI janë gati të ulen edhe në tryezën e dialogut me mazhorancën, për të dalë nga humnera ku e hodhën veten shumë javë më parë, gjithë gëzim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat