Vrasja e Jurgen Kurtit, zbardhet dëshmia e tre të arrestuarve për krimin

Shqipëria

Vrasja e Jurgen Kurtit, zbardhet dëshmia e tre të arrestuarve për krimin

Më: 27 mars 2019 Në ora: 11:34
Jurgen Kurti

Në orët e vona të mbrëmjes së kësaj të hëne, policia arrestoi tre persona si të dyshuar, të përfshirë në ekzekutimin e 26-vjeçarit Jurgen Kurti, poshtë pallatit ku jetonte me të ëmën në Tiranë.

Krahas tyre policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër, i cili mendohet të jetë “këmbëza” që i mori jetën të riut.

Ndërsa fillimisht kanë mohuar përfshirjen në ngjarje, tre të arrestuarit Elsi Levendi, 21 vjeç, banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, banues në Patos, dhe Olsi Qalliaj, 22 banues në Patos, janë dorëzuar.

Ata kanë thënë se për afro dy javë e kanë mbajtur nën vëzhgim Jurgen Kurtin, por kanë mohuar që të kenë gisht në vrasje.

Po ashtu nga përgjimet telefonike të të rinjve, policia ka zbuluar shumën prej 30 mijë euro, e cila duket se është pagesa për kryerjen e vrasjes, mirëpo askush prej tyre nuk ka deklaruar se kush e ka porositur krimin.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se të rinjtë janë përfshirë në krim për llogari të një personi tjetër, përkundër pagesës.

Dyshimet kryesore të policisë janë përqendruar në pistën e hakmarrjes për shkak të së kaluarës së viktimës, teksa një person tjetër është shpallur në kërkim, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.

Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë tre të ndaluarit dhe i shpalluri në kërkim, identiteti i të cilit nuk bëri me dije.

Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e të dyshuarve, gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celularë, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Aktualisht hetimet janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Jurgen Kurti njihej si biznesmen, menaxher i VIP-ave dhe ish-model. 26-vjeçari u qëllua me armë pak pas orës 22.00 të 18 marsit, duke mbetur i vdekur në vend.

Kujtojmë se Jurgeni nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, madje ai është ndaluar dy herë nga policia, për dy vrasje të ndryshme, njëra ajo e të atit.

Më konkretisht në vitin 2016, ai së bashku me dajën e tij Leonard Ristani, u arrestuan për vrasjen e babait, Artur Kurti. Mirëpo në vijim të hetimeve edhe për shkak se daja mori përsipër fajësinë, i riu u lirua.

Ndërkohë në vitin 2017, ai u ndalua në vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Jurgeni u akuzua se bashkë me vjehrrin e tij Konstandin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit Kujtim Ekonomi, pas konfliktit me Arapin për motive pronësie, ky i fundit mbeti i vrarë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat