Drama e familjes Troka me Përmbarimin, kërcënojnë të digjen brenda

Shqipëria

Drama e familjes Troka me Përmbarimin, kërcënojnë të digjen brenda

Më: 28 mars 2019 Në ora: 13:37
Familja Troka

Familja Troka, banuese tek “Pallatet 9-katshe” në Tiranë, edhe ditën e djeshme është përballur me Policinë e Shtetit dhe përmbaruesit privatë, ku këta të fundit kanë kërkuar t’u marrin shtëpinë. Ngjarja u bë për herë të parë publike në  gazetën ‘Shekulli’, më 6 shkurt, kur familjarët thanë se përmbaruesit shkuan pa një vendim gjykate. Edhe pse ditën e djeshme vendim i gjykatës do të jepej në orën 14:30, përmbaruesit kanë shkuar në orët e para të mëngjesit duke ushtruar terror në këtë familje. E gjithë kjo ka sjellë një situatë të tensionuar, duke bërë që një pjesë e familjarëve të ngujohen për orë të tëra brenda apartamentit, ndërsa hyrja e pallatit është rrethuar me forca të shumta policie. Familjarët kanë kërcënuar se do të digjeshin brenda shtëpisë, duke tentuar edhe t’i vënë flakën, pasi nuk kanë pranuar dorëzimin e sa tek përmbaruesit. “Kanë hyrë me forcë në shtëpi, kanë ushtruar terror, nusja e djalit është shtatzënë dhe e përjeton më keq këtë situatë”, thotë Kujtim Truka, kryefamiljari. Përmbaruesit, në emër të një banke, për kredinë e pashlyer,  duan t’ju marrin shtëpinë, megjithëse kjo, siç shpjegon Troka, nuk është objekt i kontratës. “Ne kemi lënë peng tek banka fermën bujqësore në Lushnje, jo apartamentin”, tha Troka dhe shton se e kanë hedhur në gjyq përmbarimin për këtë veprim të paligjshëm.

Terrori i përmbaruesve në familje

Familjarët tregojnë për “Shekulli”-n dhunën që ka ushtruar përmbarimi në banesë dhe frikën që kanë përjetuar në ato momente. “Kanë ardhur në shtëpi pa na lajmëruar, mua më morën telefononin dhe shembën derën. E kanë hapur me forcë. Pavarësisht rezistencës sonë, ata ia dolën, erdhën dhe rrëzuan përtokë çdo plaçkë të shtëpisë. Na kanë sharë dhe ofenduar gjatë gjithë kohës dhe na kanë kërcënuar që do na marrin çdo gjë, jo vetëm këtë shtëpi”, tregojnë familjarët. E vetmja gjë që kërkojnë familjarët, është vendimi gjykatës. Sipas tyre, nëse gjykata ju jep të drejtë përmbaruesve, le të ekzekutohet vendimi, por nuk do të lëshojnë shtëpinë pa vendim gjyqi. Po përsëritet e njëjta histori. Vinë çdo herë që kemi gjyqin, pa një vendim. Nuk na kanë lajmëruar me herët për këtë gjë, por erdhën në befasi, për të krijuar panik. Ne nuk e kuptojmë përse nuk presin vendimin e gjykatës”, tha Troka.

Shoqërimi i kryefamiljarit në polici

Pas përplasjeve dhe mosbindjes për të liruar banesën, kryefamiljari Troka shoqërohet në polici. Ai bëri me dije për “Shekulli”-n se procesi gjyqësor është shtyrë edhe ditën e djeshme, pas mungesës së tij. “Qëndrova i izoluar në polici rreth 7 orë dhe kjo solli moszhvillimin e seancës së radhës”, thotë ai. Troka denoncon edhe mënyrën se si e kanë trajtuar gjatë shoqërimit në ambientet e komisariatit. “Më kanë trajtuar si të isha kriminel në komisariat. Gjatë momentit të shoqërimit, kanë ushtruar dhunë ndaj meje, edhe pse jam i sëmurë. Kam dashur të mbyllet në paqe kjo histori, por eprorët që drejtonin këtë operacion kishin ardhur të bindur për të shkaktuar ato skena të tmerrshme”, thotë kryefamiljari.

“Mafia e pronave”

Djali i kësaj familjeje, Tajar Troka, deklaroi se nuk do ta lirojë banesën për asnjë motiv. Më tej, ai denoncoi edhe emrat të cilët, sipas tij po u vjedhin banesën. “Ky është një mashtrim shumë i madh, këta njerëz që duan të marrin shtëpinë time, kanë vjedhur 40 prona në Tiranë. Janë Mimoza Konari dhe Mariglen Bregu, po bëjnë maskaradë vjedhjesh në Tiranë. Askush nuk mund të më marrë këtë banesë, ku unë si kolateral nuk kam lënë këtë apartament, por fermën në Lushnjë. Ne do japim edhe jetën, por banesën nuk e lirojmë. Nuk ka lindur ende ai njeri, që të na vrasë dhe poshtërojë në këtë pikë. Këta mashtrues janë mësuar me këto punë dhe duan të më marrin djersën e fëmijëve, gjë që nuk do e lejoj”, deklaroi Tajar Troka për “Shekulli”-n.

Vetëflijimi për pronën

Konflikti i përmbaruesve dhe familjarëve është përsëritur në mënyrë të herëpashershme. Në datën 12 shkurt, Blerina Troka, bashkëshortja e Kujtimit, kërcënoi se do të hidhej nga kati i tetë i pallatit, duke mos lejuar që përmbaruesit t’i merrnin shtëpinë. Ajo tha asokohe për “Shekulli”-n se u provokua herë pas herë nga përmbaruesit, gjatë qëndrimit prej më shumë se 2 orë e 20 minuta në ballkon. Gruaja kërcënoi se do të vetëflijohet, nëse përmbaruesit nuk largoheshin. “Njëri nga përmbaruesit, i cili më herët ka ardhur dhe me dhunë i ka rënë derës, më thoshte: “Hidhu!”. Pak ditë më parë, erdhi dhe gjuajti me shqelma derën, duke kërkuar që ta hapnim. Në këtë vend po na vrasin në mesin e ditës. Qëndrova për 2 orë e 20 minuta në ballkon. Doja të hidhesha nga momenti në moment, pasi nuk kemi rrugë tjetër. Nuk është normale e gjithë kjo që po na ndodh neve, por jemi në Shqipëri dhe çdo gjë mund të ndodhë dhe as nuk justifikohet. Unë shpresoj që gjykata të vendos drejtësi në këtë histori, pasi në dorë të saj kemi mbetur. Nuk e kisha menduar më herët që do të bëja një veprim të tillë, por situata është aq e zymtë. Nuk mund të gjesh drejtësi në këtë vend. Unë kam qenë ajo, e cila mora atë kredi për biznes, e kemi diskutuar me bankën, ku edhe kemi bërë kërkesë për të shitur fermën. Ne në garanci vendosëm fermën, jo shtëpinë. Ne nuk kemi rënë dakord që të vendosim shtëpinë kolateral”, tregoi për “Shekulli”-n, Blerina.

Historia

Kujtojmë që familja Troka ka marrë një kredi biznesi me vlerën 50 milionë lekë, në një bankë të nivelit të dytë. Si kolateral, familja ka lënë një fermë në qytetin e Lushnjës. Duke qenë se përmbaruesit nuk e kanë shitur dot këtë fermë, familjarët thonë se tashmë ata kërkojnë të marrin shtëpinë e tyre në kryeqytet që kap shifrën 90 mijë euro. Seanca e parë gjyqësore ka nisur më 6 shkurt. Deri më tani janë bërë 12 seanca gjyqësore dhe ende nuk ka një vendim gjykate, nëse ka të drejtë familja Troka, apo përmbaruesit. Nxjerrja nga shtëpia, këtë familje e çon ata automatikisht në rrugë, pasi nuk kanë një tjetër banesë ku mund të jetojnë.

Image
Përmbaruesit në shtëpinë e familjes Troka
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat