Turizmi solli 1.8 miliardë euro. Jashtë shkuan 1.4 miliardë euro. Të ardhurat, 430 milionë euro

Shqipëria

Turizmi solli 1.8 miliardë euro. Jashtë shkuan 1.4 miliardë euro. Të ardhurat, 430 milionë euro

Më: 28 mars 2019 Në ora: 15:19
Foto

Ekonomia shqiptare përfitoi mbi 1 miliard e 850 milionë euro të ardhura bruto nga turizmi në vitin 2018, çka përbën nivelin më të lartë historik.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe gjatë vitit të kaluar turizmi ka qenë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare duke vijuar të zgjerohet me ritme të vrullshme.

Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e pagesave krahasuar me vitin 2017, të ardhurat që ekonomia përfitoi nga turizmi u rritën me gati 9%, nga 1.7 miliardë euro që ishin, në 1.85 miliardë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16% më shumë se një vit më parë.

Por, rritja e turizmit nuk është vetëm në kahun hyrës. Edhe shqiptarët kanë shpenzuar më shumë për udhëtime jashtë shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për gjithë vitin e kaluar shqiptarët shpenzuan 1.4 miliardë euro në udhëtime jashtë vendit ose 13% më shumë sesa një vit më parë.

Kjo bën që kontributi neto i sektorit të turizmit për ekonominë gjatë vitit të kaluar, pra diferenca mes të ardhurave që përfitoi ekonomia nga turistët dhe shpenzimeve që shqiptarët bënë në vendet e tjera, të rezultojë rreth 430 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat